Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, foli me entuziazëm pas fitores në derbi përballë United.
“Ishte një ndeshje e shkëlqyer që nga minuta e parë.
Ne luajtëm shumë mirë dhe duhej të kishim durim që në hapin e parë. Ralf Rangnick u përpoq të ndryshonte mentalitetin, që Man. Utd të ishte më agresiv, por ne krijuam hapësirë, veçanërisht në pjesën e dytë, për të luajtur pas McTominay dhe Fred. Futbolli është emocione.
Është taktikë, patjetër, por është edhe emocione. Ne jemi një ekip me dëshirë dhe pasion për të rifituar topin nga minuta e parë deri në të 90-ën”.
Pep vlerësoi performancën e futbollistëve të tij, sidomos të Jack Grealish:
“Jack Grealish ishte i shkëlqyer. Në një të tretën e fundit të fushës ai është shumë altruist.
Kur sheh Phil Fodenin dhe Riyad Mahrez, topi është i tyre. Ky është hapi tjetër për Jack, por për sa i përket vendimmarrjes dhe pasimit të topit lojtarëve që kanë hapësirë, ai ishte i jashtëzakonshëm”.