Kombëtarja e Kosovës në grupmoshat U19 është grumbulluar sot në kamp disa ditor për të zhvilluar përgatitjet për ndeshjet kualifikuese në kuadër të Evropianit 2023.
Ky Evropian do të zhvillohet nga data 17 deri më datën 23 nëntor në Suedi, ndërsa trajneri i Kosovës U19, Ramiz Krasniqi ka në gatishmëri pothuajse të gjithë lojtarët që synon t’i ketë për ndeshjet kualifikuese.
Po ashtu, në kuadër të këtij kampi disaditor, “Dardanët” e rinj do t’i zhvillojnë dy ndeshje testuese me skuadrat e Ligës së Parë, 2 Korrikun dhe Drenasin.
Krasniqi është i kënaqur që ftesës së tij i janë përgjigjur pothuajse të gjithë futbollistët nga Diaspora, përveç dy lojtarëve.
“Shumica e futbollistëve nga Diaspora i janë përgjigjur ftesës, përjashto dy lojtarë dhe jam shumë i kënaqur që kam mundësinë të punojë me ekip të kompletuar. Ekziston motivi i madh tek lojtarët për ta përfaqësuar shtetin e vet në ndeshjet kualifikuese”, tha Krasniqi.
“Ky grumbullim është një test po thuajse i fundit para kualifikueseve, ku do të kemi edhe dy ndeshje miqësore. Ky grup është shumë më kompakt se ai i vitit të kaluar dhe shpresoj se do të bëjmë një rezultat sa më të mirë në kualifikime”, shtoi më tej përzgjedhësi i Kosovës U19.
Kosova në kualifikimet e muajit nëntor bën pjesë në Grupin 3, së bashku me Ukrainën, Qipron dhe Suedinë, si nikoqire e ndeshjeve kualifikuese.