U bë protagonisti kryesor për të gjitha zhvillimet e javës së fundit në BDI. Por zv.kryeministri i parë Artan Grubi krizën brenda BDI-së por edhe krizat me të cilat ballafaqohet vendi, i përshkruan me pak fjalë, shkruan Alsat.
“Në këto rrethana në të cilat jemi, Ali Ahmeti nuk ka nevojë për BDI-në, BDI ka nevojë për Ali Ahmetin. Ali Ahmeti nuk ka nevojë për popullin, populli ka nevojë për Ali Ahmetin”, tha Artan Grubi, Zëvendëskryeministër.
Grubi pretendon se rrethanat në të cilat ndodhet vendi, nuk kanë nevojë për defokusim, ndërsa akuzave të adresuara në letrën e “grupit të zjarrit” iu përgjigj me paralajmërimin e deklaruar nga Ahmeti se do të kandidon edhe për një mandat si kryetar i BDI-së.
“Në kohën kur po ballafaqohemi me krizë energjetike, me krizë çmimore, me krizë të sigurisë, kur po ballafaqoheni me skriningun dhe vettingun mese të nevojshëm në politikë tek politikanët, gjykatësit dhe prokurorët si dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, kur po mundohemi ta hapim kushtetutën me 80 deputet, kur jemi në përfundim e sipër të Shkup-Tiranë me autostradë dhe Shkup-Prishtinë me autostradë, kur jemi në rrumbullakim të gjitha këtyre projekteve, nuk kemi nevojë për defokusim të panevojshëm dhe ne të gjitha forcat i kemi përqendruar në realizimin e të gjitha këtyre çështjeve programore”, theksoi Artan Grubi, zv.kryeministër.
Akuzave të publikuara në media të ndryshme se “grupi i zjarrit” është i motivuar nga VMRO-DPMNE-ja me qëllim minimin e ndryshimeve kushtetuese iu përgjigj edhe nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti. Ky i fundit në “Rruga drejt” tha se akuzat e tilla dalin nga Grubi i cili në vitin 2016 pretendonte me çdo kusht formimin e Qeverisë me VMRO-DPMNE-në.
“Kur unë kam vendos kontaktin me lejen e Ali Ahmetit me Zoran Zaevin, kam iniciuar takim me LSDM-në për t’u nda përfundimisht dhe për ta nxjerr nga politika Nikolla Gruevskin dhe për ta bërë një Qeveri pro Evropiane dhe pro NATO. Derisa ne e kemi bërë këtë punë, Grubi ishte në negociata me VMRO-DPMNE-në për të bë Qeveri me to”, u shpreh Izet Mexhiti, Nënkryetar i BDI-së.
“Grupi i zjarrit” përmes letrës publike ka sqaruar se lufta e cila zhvillohet brenda BDI-së nuk konteston kreun e kësaj partie, Ali Ahmetin por ekzekutivin në krye me Grubin. /Alsat.mk