Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ka uruar 8 Marsin – Ditën ndërkombëtare të gruas. Ai përkujton në urimin e tij në rrjetin social facebook, se femrat janë fuqi shtytëse e progresit të shoqërisë.
“Këmbanë e ndërgjegjes mbarënjerëzore ishin kërkesat plotësisht legjitime të femrës për të drejtat e saj dhe për barazi në kohëra kur neglizhohej roli i saj i rëndësishëm në familje dhe shoqëri. Ai zë i ngritur bëri revolucionin e duhur dhe gjen sot botën me qasje më të drejtë, më të respektueshme ndaj guximit dhe kapacitetit të femrës që çdo ditë e më shumë po dëshmohet se është fuqi shtytëse e progresit të shoqërisë.Gjen sot edhe vendin tonë plotësisht të angazhuar në sfidën e përditshme për fuqizimin e pozitës së femrës dhe promovimin e barazisë gjinore si fundament i zhvillimit të qëndrueshëm të shtetit”, shkruan Grubi në urimin e tij në Facebook.