Greva njëmujore në arsim e organizuar nga SBASHK-u, është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës në dy dekadat e fundit..!?

min lexim

Duke e dëgjuar debatin e sotshëm parlamentar në Kuvendin e Kosovës lidhur me arsimin dhe grevën njëmujore të organizuar nga SBASHK-u, ku mbi 350 mijë nxënës mbeten jashtë bankave shkollore, të cilëve iu ndalua arbitrarisht vijimi i mësimeve, dhe atë për shkaqe krejtësisht të pajustifikuara, sepse po të kishte sado pak vullnet patriotik, kërkesa për rritjen e pagave mësimdhënësve mund të zgjidhej përmes dialogut të drejtpërdrejtë midis Këshillit të prindërve dhe Ministrisë së arsimit, e jo përmes grevës së organizuar nga sindikata e arsimit..!?

Duke pasur parasysh faktin se janë sqaruar shkaqet që i kanë nxitur udhëheqësit e strukturave sindikale të arsimit të organizojnë grevë me kërkesën për rritje të pagave të mësimdhënësve (100 €), rreth të cilave shkaqe u fol sot në Kuvend mjaft qartë nga shumë deputetët, ajo që duhet vu në pah patjetër është fakti i pamohueshëm, se çështja e organizimit sindikal në Kosovë nuk është e rregulluar si duhet me ligj, por as ligji për grevat.

Pra, duke mos qenë e definuar saktësisht e drejta e formimit si dhe roli i sindikatave, si organizata vullnetare, ashtu siç e kanë të definuar me aktet normative të gjitha shtetet demokratike brenda dhe jashtë BE-së, doli se në Kosovë sindikatat na paskan të “drejta eksplicite” të marrin vendime në emër të punëtorëve, me të cilat vendime i abrogojnë ligjet në fuqi, madje duke i marrë mbi vete (lexo: uzurpuar) kompetencat që i ka shteti në arsim, në ekonomi dhe shëndetësi, e drejtë kjo e cila sindikatave nuk iu takon me asnjë ligj dhe normë kushtetuese në asnjë vend të botës..!?

Mjerisht, kjo anomali i ka ndodhur vetëm Kosovës, ku Sindikatat në arsim (SBASHK) i dha vetes të drejtë diskrete që të thërras dhe organizojë grevë njëmujore, duke e penguar në anën tjetër fillimin e vitit të ri shkollor (2022/23) për 350 mijë nxënës, e që në fakt ishte vepër penale sipas çdo ligji, pranë faktit se organizimi i grevave është akt legjitim i ndërmarrë kudo nga sindikatat në botë, por jo duke e cenuar dhe sabotuar procesin mësimor!

Pra, grevat në arsim mund të zgjasin më së shumti deri në dy ditë, por jo edhe një muaj, siç ndodhi para pak ditëve në Kosovë, me të cilën grevë Arsimi si aset nacional, interes kombëtar dhe si kompetencë ekskluzive e Ministrisë së arsimit, është dëmtuar tej mase. Dhe, për këtë veprim antikombëtar çdo udhëheqës sindikate duhet ta bartë përgjegjësinë ligjore për një veprim të tillë antikushtetues..!?

Në Gjermani, ku unë kam punuar mbi dy dekada, detyrat primare të sindikatave janë; “Përmirësimi i kushteve të punës së anëtarëve të tyre (punëtorëve) në veçanti, si dhe për gjithë punëtorët tjerë në përgjithësi. Ato (sindikatat) negociojnë marrëveshje kolektive me ndërmarrjet punëdhënëse për paga më të larta, për orë më të shkurtra pune, si dhe për më shumë ditë pushimi. Ato bëjnë thirrje për greva për t’i mbështetur kërkesat e punëtorëve, ndërsa punëtorët që marrin pjesë në grevë nuk mbajnë përgjegjësi për mos-përmbushjen e detyrimeve të tyre kontraktuale ndaj punëdhënësve. Mirëpo, gjatë grevës ata nuk mund të kërkojnë asnjë kompensim, megjithatë humbjen financiare në pagat e tyre mund ta zbusin nëse janë anëtarë të sindikatës, e cila e ka për obligim që t’ua paguan të ashtuquajturat pagesa të grevës gjatë mungesës së tyre në punë”.

Pra, sikur në Gjermani të ndodhte në mënyrë hipotetike greva në arsim, sikur kjo që ndodhi në Kosovë në kohëzgjatje prej një muaji (në Gjermani nuk ka shans të ndodhë grevë njëmujore), rrogat grevistëve do ua paguante Sindikata, e jo punëdhënësi. Prandaj, në Kosovë urgjentisht duhet ndryshuar ligjin mbi rolin e sindikatave si dhe ligjin mbi grevat, siç u kërkua qartë nga disa deputetë të Kuvendit.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Brenda 20 minutash regjistrohen dy tërmete në Maqedoni të Veriut

Story i radhës

Kanye West pranon publikisht pëlqimin për mikeshën e ngushtë të Kylie Jenner

Të fundit nga