Gozhda e Nastradinit dhe komuniteti politik europian!

Sot, në Pragë zhvillohet Samiti joformal i komunitetit politik europian, pjesë e të cilit janë përveç vendeve anëtare të Bashkimit Europian edhe 17 vende të tjera jo anëtare të tij. Në këtë komunitet politik janë përfshirë vende të zhvilluara europiane si Zvicra, Norvegjia, Britania e Madhe, ashtu edhe vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vende të tjera të Europës Lindore, deri në Kaukaz. Liderët e këtyre vendeve kanë udhëtuar drejt Pragës dhe sot gjenden në një format takimi që shkon në 44 vende.

Propozimi për krijimin e këtij Komuniteti Politik erdhi në muajin maj përmes presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe ideja u zgjerua më tej në bashkëpunim me boshtin Paris-Berlin. Megjithatë kancelari gjerman, Olaf Scholz, vuri në dukje në gusht të këtij viti se kjo iniciativë nuk e zëvendëson procesin e integrimeve europiane. Por, Macron e motivoi iniciativën e tij me domosdoshmërinë e koordinimit politik midis të të gjitha vendeve europiane në kushtet e krizës që shkaktoi lufta në Ukrainë pas sulmeve ruse kundër saj.

Sot është takimi i parë në Pragë dhe synimi lidhet me atë që ky ritual të zhvillohet çdo gjashtë muaj.  Në Pragë gjendet tashmë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila do të përfaqësojë shtetin në takimin joformal. Por edhe kësaj radhe vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën e kanë kushtëzuar pjesëmarrjen me fusnotën e famshme të pranuar nga Hashim Thaçi, pa e ditur se ajo do të shërbente si “gozhda e Nastradinit”, duke i dhënë kuptim të paplotë e të paformalizuar pavarësisë së vendit. Po kalojnë dhjetë vite që kur “Nastradini pa e pyetur të zotin e shtëpisë hyn dhe del nga shtëpia për ta varur xhaketën e tij në gozhdën e vet brenda shtëpisë së huaj”! Fusnota është rrengu i radhës i pabesisë serbe. Tani është jo e lehtë të hiqet!

Por, le të dalim prej këtij ngërçi. Çfarë presin vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komuniteti Politik Europian? Se çfarë pret Brukseli, Franca dhe vende të tjera, kjo dihet: – Një lidhje europiane për sigurinë, paqen, ekonominë dhe energjinë, e cila i zgjidh më lehtë krizat e kontinentit duke qenë të bashkuar. Pra, ky është interesi i BE-së! Shkurt, paqja, stabiliteti, siguria, përballimi me sukses i krizës së luftës në Ukrainë. Prandaj dhe janë të lumtur për këtë jo vetëm francezët, por edhe gjermanët e të tjerët. Për këtë arsye iniciativa Macron gjeti mbështetje.

Por, Ballkani Perëndimor përveç atyre benefiteve që u përmendën më lart, do të ketë diszavantazhe. Komuniteti Politik Europian nuk do të jetë aktiv vetëm në periudhën e luftës në Ukrainë. Ndoshta në këto momente nuk do të bëhet pengesë për interesimet europiane të gjashtë shteteve ballkanike si dhe shteteve të tjera. Por në një moment tjetër në periudhë afatmesme kjo iniciativë e Emmanuel Macron do të shërbejë për të stopuar integrimet europiane.

Do të thonë: “Ne tashmë kemi dy shpejtësi europiane. Njëzet e shtatë vende anëtare dhe 17 vende jo anëtare, ku përfshihet edhe Ukraina dhe Turqia”. Të dyja këto vende e sidomos Turqia nuk do të pranohet në BE. Por mekanizmi i Macron u jep të njëjtin status edhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. I lëshon ato në statusin e Turqisë, Azerbajxhanit e të Armenisë!

Kjo do të thotë se iniciativa plotëson nevojat e BE-së për bashkëpunim për çështjet e sigurisë e të politikave të jashtme, por BE-ja nuk do të dëshirojë të marrë përsipër angazhimin e saj në fushat e tjera të zhvillimit. Mbi të gjitha vendet jo anëtare do të ngjajnë si në samitet e Këshillit të Europës, ku është anëtare e ngrirë edhe Rusia. Pra, do të jetë një komunitet politik që pranon në gjirin e vet edhe autokracitë lindore e ballkanike. Mjafton që këto autokraci të pajtohen me politikat e BE-së për sigurinë dhe politikën e jashtme.

Nëse ndodh kjo dhe me shumë gjasa do të ndihmë, atëherë demokracia në këto vende do të jetë thjesht vullnet i lidershipit politik të tyre. Ndërkohë autokratët do të fuqizohen edhe më shumë. Bashkëpunimi i politikës me mafien dhe grupet kriminale e bandat do të ligjësohet e legalizohet. Rotacioni dhe pluralizmi politik do të asgjësohen. Këto janë arsyet pse kryeministri i Shqipërisë e mbështeti me entuziazëm iniciativën e presidentit francez të majit të kaluar.

Nga e gjithë kjo histori kurthesh anti-demokratike del një përfundim i thjeshtë:  – Popujt e Ballkanit Perëndimor do të duhet të mbështeten te vullneti i tyre në luftën për liri e demokraci. Investimi mbi 30 vjeçar i realizuar në këtë rajon nuk duhet të shumëzohet me zero. Ndaj dhe ka ardhur momenti kur ne shqiptarët, por dhe popujt e tjerë të rajonit, të marrin vetë në dorë fatin e vet, të mobilizohen më shumë në luftën për liri e demokraci. E vetmja mundësi për t’iu imponuar skeptikëve të zgjerimit europian, siç është Emmanuel Macron, është zhvillimi i lirisë dhe demokracisë!

Ndryshe, ne do të vuajmë intrigat europiane në kushte të reja të zhvillimeve gjeopolitike. Këtu qëndron gozhda e Nastradinit!

Komuniteti politik europian ngjan kësisoj me një organizatë jo qeveritare që kujdeset vetëm për bythën e vendeve të BE-së, sidomos atyre që i bashkohen politikave jointegruese të Francës. Pra, për sigurinë e këtyre vendeve, duke tërhequr me kopili 17 vendet e tjera jo anëtare!

Por, ndërkohë injoron aspiratat, investimin tridekadash dhe procesin e integrimit europian tonin!

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Shkupi fiton në Strumicë

Story i radhës

Rusia sulmon me raketa Zaporizhian, vriten 17 persona

Të fundit nga