Ditën e Mërkure Google njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e Mandiant, një kompani e shquar e sigurisë kibernetike për 5.4 miliardë dollarë.
Njësia do të integrohet në divizionin e Google Cloud dhe të sjellë sigurisë maksimale për konsumatorët e biznesit.
Platforma e Google Cloud përdoret nga një numër i konsiderueshëm kompanish të mëdha dhe një ndërprerje në fund të 2021 nxori Spotify, Snapchat, Etsy dhe Discord offline.
Mandiant nuk është një kompani shumë e njohur por është një prej atyre të cilat ndërhyjnë kur gjërat shkojnë keq. Është kompania që zbuloi hakimin SolarWinds dhe u punësua nga Equifax për të kontrolluar praktikat e saj të sigurisë pas një problemi kritik në 2017.
Operatori celular Amerikan T-Mobile ka hyrë në bashkëpunim me kompaninë pas thyerjes së sigurisë në 2021. Gjithashtu punon me banka dhe qeveri vendesh në sulme të profilit të lartë kur janë të përfshirë aktorë shtetërorë.
Mandiant ka qenë pjesë e FireEye përpara se të blihej në 2013-ën dhe më pas të dilte më vete vitin e kaluar.
Lajmi vjen pak pasi Bloomberg raportoi se Microsoft ishte i interesuar për blerjen e kompanisë. /PCWorld Albanian