Sfida e tretë mes boksierit meksikan Canelo Alvarez dhe kazakut Gennady Golovkin do të zhvillohet më 17 shtator, në stadiumin “T-Mobile Arena” të Las Vegas. Lajmi u zyrtarizua sot nga Eddie Hearn, promotori i njohur i boksit.
Edhe dy sfidat e para mes dy boksierëve janë zhvilluar po në këtë stadium me 20 mijë shikues. Dy boksierët rikthehen të duelojnë mes tyre 4 vjet nga hera e fundit (shtator 2018), kur Alvarez fitonte me vendim shumice të gjyqtarëve.
Ndërkohë që, një vit më herët (shtator 2017), dueli i parë mes tyre është mbyllur në barazim. Alvarez (57 fitore, 2 humbje e 2 barazime në karrierë), që vjen nga humbja ndaj rusit Dmitri Bivol, zbret një peshë më poshtë (dueloi në peshën light heavyweight).
Ndërsa Golovkin (42 fitore, 1 humbje e 1 barazim) vjen pas fitores së arritur ndaj japonezit Ryota Murata në prill të këtij viti. Kjo përballje e tretë mes tyre do të jetë e vlefshme për titujt kampionë bote në peshën super të mesme.
Një sfidë që parashikohet e fortë dhe spektakolare, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë dy boksierët, sidomos pas duelit të fundit. Golovvkin gjithnjë e ka kundërshtuar atë humbje dhe ka kërkuar triologjinë dhe më në fund palët kanë rënë dakord ta zhvillojnë atë.