Drejtori i ri i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku u ka dhënë porosi vartësve të tij që të godasin aty ku është krimi dhe të luftojnë korrupsionin.
Gjatë takimit me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar përgjegjshmëri, profesionalizëm, produktivitet, ndryshim të metodologjisë së punës së drejtuesve të strukturave policore duke filluar nga drejtori dhe deri te shefat e seksioneve.
Në vijim, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar përmirësim të menjëhershëm të cilësisë së rezultateve të seksioneve për Hetimin e Krimit Ekonomik, për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe të atij për Krimet e Rënda.
“Punoni në bazë të informacioneve, bashkëpunoni me qytetarët, me agjencitë e tjera ligjzbatuese dhe godisni aty ku është problemi. Luftoni krimin e organizuar dhe çdo paligjshmëri tjetër që konstatohet në terren.
Lokalizoni dhe kapni personat në kërkim, ata që qarkullojnë me armë zjarri ose lëndë narkotike.
Monitoroni dhe mbani nën kontroll personat me tendencë kriminale në fushat e krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Është bërë një punë e mirë parandaluese në terren, për uljen e kultivimit të bimëve narkotike në territorin e qarkut Durrës, por duhet bërë më shumë për të luftuar tentativat e kultivimit në ambiente të mbyllura.
Shërbimet e Policisë në terren duhet të rritin performancën në drejtim të komunikimit me qytetarët apo të ndjekjes dhe zgjidhjes së problematikave që kanë apo adresojnë qytetarët.
Shefat e sektorëve të kontrollojnë dhe të instruktojnë strukturat përkatëse në varësi.”
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga strukturat e DVKM Durrës që të rritet autoriteti, roli dhe forca parandaluese e goditëse e Policisë Kufitare në port. Të luftohen krimet ndërkufitare, duke bashkëpunuar me strukturat e Policisë vendore dhe autoritetet doganore.