glps kerkon konstituimin e kuvendit brenda afatit kushtetues 6a75aa2f348c9

GLPS kërkon konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues

August 7, 2026
1 minut lexim

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka kërkuar nga partitë parlamentare që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.

Në një komunikatë për media, GLPS i ka bërë thirrje veçanërisht Lëvizjes Vetëvendosje, si subjektit fitues të zgjedhjeve dhe bartësit të përgjegjësisë për propozimin e kryetarit të Kuvendit, që të kontribuojë në përmbylljen e këtij procesi.

Sipas GLPS-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues do të përbënte një dështim institucional dhe shkelje të përgjegjësive që burojnë nga Kushtetuta.

“Qytetarët tashmë prej gati dy vitesh po paguajnë koston e një politike të dominuar nga kalkulimet partiake dhe jo nga përgjegjësia institucionale”, thuhet në komunikatë.

GLPS ka kritikuar edhe arsyetimin e dhënë nga LVV për ndërprerjen e seancës së fundit të Kuvendit, ku u tha se nevojitet kohë shtesë për diskutime lidhur me zgjedhjen e presidentit/es.

Sipas kësaj organizate, çështja e zgjedhjes së presidentit/es nuk mund të përdoret si arsye për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit, pasi këto dy procese kanë afate dhe procedura të ndara kushtetuese.

GLPS ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është parakusht për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit/es, duke rikujtuar se procedura për zgjedhjen e kreut të shtetit zhvillohet brenda afateve të përcaktuara pas konstituimit të Kuvendit.

Në fund, GLPS ka bërë thirrje që të shmangen shtyrjet e mëtejshme dhe që institucionet të përmbushin obligimet e tyre kushtetuese në respekt të vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes zgjedhjeve.

“Sot nuk ka më hapësirë për justifikime, interpretime të gjëra politike apo shtyrje të mëtejshme. Ekziston vetëm një detyrim i qartë, konstituimi i Kuvendit brenda afatit kushtetues. Çdo dështim për ta përmbushur këtë obligim do të ishte shkelje e kushtetutës dhe një akt i papërgjegjshëm politik dhe institucional”, thuhet tutje në komunikatën e GLPS-së.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

Gradina 4
Lajmi i mëparshëm

Vera është koha ideale për hortikulturë: Këshilla nga Qendra e Kopshtarisë Foja për bimë të shëndetshme dhe të harlisura

30 vatra zjarri ne 24 ore ne shqiperi 8 vijojne aktive 6a75aa900c55c
Lajmi i radhës

30 vatra zjarri në 24 orë në Shqipëri, 8 vijojnë aktive

Të fundit nga

ShkoLartë