Gjykatësja federale: Senatori Graham duhet të dëshmojë në hetimin për zgjedhjet në Xhorxhia

min lexim

Një gjykatëse federale tha të hënën se Senatori Lindsey Graham duhet të dëshmojë përpara një jurie të madhe në Atlanta, që po heton nëse ish-presidenti Donald Trump dhe aleatët e tij kanë shkelur ndonjë ligj ndërsa u përpoqën të përmbysnin humbjen e ngushtë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në këtë shtet. 

Avokatët e senatorit republikan nga Karolina e Jugut, Lindsay Graham kishin argumentuar se posti i tij si senator amerikan i siguronte atij imunitet nga detyrimi për t’u paraqitur para panelit hetimor dhe i kërkuan gjykatësit të anulonte fletëthirrjen për të dëshmuar. Por gjykatësja federale që shërben në distriktin verior të Xhorxhias, Leigh Martin May, vendosi të hënën se imuniteti që lidhet me rolin e tij si senator nuk e mbron atë nga detyrimi për të dëshmuar.

Fletëthirrja drejtuar Senatorit Graham e udhëzon atë të paraqitet para jurisë së madhe më 23 gusht, por zyra e tij tha të hënën se ai planifikon të apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit të distriktit të 11-të. 

Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis, hapi hetimin vitin e kaluar dhe një juri e madhe speciale me fuqi për të dërguar fletëthirrje u mblodh me kërkesën e saj këtë vit. Muajin e kaluar ajo paraqiti peticione duke kërkuar dëshmi me detyrim nga shtatë këshilltarë dhe bashkëpunëtorë të zotit Trump. 

Prokurorët kanë thënë se duan të pyesin Senatorin Graham për telefonatat që ata thonë se ai ka zhvilluar me Sekretarin e Shtetit të Xhorxhias, Brad Raffensperger, dhe personelin e tij në javët pasi zoti Trump u mund në zgjedhje presidenciale të vitit 2020 nga rivali demokrat Joe Biden./VOA

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

E ironizoi hapur në rrjetet sociale, fituesi i “BBV” i kundërpërgjigjet Monika Lubonjës

Story i radhës

Frika e një katastrofe bërthamore në Ukrainë, Moldavia blen paraprakisht 1 milion tableta jodi

Të fundit nga