Gjykata e Apelit të Kosovës më 26 janar 2022 ka nxjerrë aktgjykim refuzues edhe për pikën e fundit të mbetur të akuzës për korrupsion ndaj ish-sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj.
Kjo pasi që sipas Apelit më 12 janar të këtij viti ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale ndaj Tolajt për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par. të KPRK-së.
“Me rastin e ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ndryshohet pjesërisht aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për Krime të Rënda, ashtu që refuzohet akuza nga pika 1 e pjesës liruese të aktgjykimit të ankimuar ndaj të akuzuarit Ilir Tolaj për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Tolaj akuzohej nga prokuroria se gjersa kishte shërbyer si sekretar i përhershëm në MSh nga viti 2006 e deri në vitin 2008 dhe tetori 2010 deri më 12 janar 2012, si dhe nga prilli deri në tetor 2010 kur kishte punuar si këshilltar i ish-minsitrit të MSh-së, Bujar Bukoshit, kishte drejtuar një fushatë për të dëmtuar “Jona Med”.
Ndryshe më 22 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim lirues ndaj Tolajt për pikën 1.7 dhe aktgjykim refuzues ndaj Tolajt, Bekim Fushës, Hajrullah Fejzës dhe Zenel Kuqit, për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale.
Brenda afatit ligjor, kundër këtij aktgjykimi ankesë kishte ushtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës(PSRK) për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit penal, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi për shkak se lënda ishte afër parashkrimit.
Ndërsa Prokuroria e Apelit me parashtresën e datës 12 janarit 2022, ka propozuar që të aprovohet si e bazuar ankesa e PSRK-së, dhe aktgjykimi të ndryshohet nga ai lirues në atë dënues.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjykata duke vlerësuar aktgjykimin e ankimuar, ka gjetur se për këtë pikë të aktgjykimit të ankimuar ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale, andaj sipas të njëjtës duhet të nxjerrët aktgjykim refuzues.
“Sipas përshkrimit të gjendjes faktike në pikën 1 të aktgjykimit të ankimuar rrjedhë se Tolaj akuzohet se në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare në periudhën prej 01 qershor 2006 gjer më 10 mars 2008 dhe përsëri nga tetori 2010 gjer më 12 janar 2012. Pra, sipas aktakuzës veprimi i fundit është data 12 janar 2012”, thuhet në vendimin e Apelit.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepra penale me të cilën ngarkohej Tolaj, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, është e dënueshme me burgim nga 6 muaj deri në pesë vjet.
KPRK në nenin 106, paragrafin 1, pikën 1.4 përcakton se “përveç nëse shprehimisht parashihet ndryshe me këtë Kod, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet” dhe në nenin 107, paragrafin 8 përcakton se “Ndjekja penale ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”.
E që sipas Apelit në rastin konkret nga data 12 janar 2012 si datë e veprimit të fundit të Tolajt e deri më datën e lëshimit të këtij aktgjykimi kanë kaluar më shumë se dhjetë vite, kjo sipas Apelit nënkupton se ka kaluar dyfishi i kohës së parashkrimit.
“Më saktësisht më 12 janar 2022 ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale për këtë vepër penale. Andaj edhe duhet të ndërpritet çdo veprim i mëtejmë në drejtim të ndjekjes penale”, thuhet në aktgjykimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, pikën e dytë të aktgjykimit të Themelores me të cilën kishte refuzuar akuzën ndaj Ilir Tolaj, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha dhe Zenel Kuqi, për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar si të drejtë dhe të ligjshëm.