gjini kosova eshte ne nje gjendje te veshtire institucionet jane bllokuar 6a8dd594d9695

Gjini: Kosova është në një gjendje të vështirë, institucionet janë bllokuar

August 25, 2026
min lexim

Aleanca ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, ndërsa pas saj kryetari i partisë, Ardian Gjini, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka kritikuar gjendjen politike, institucionale dhe energjetike në vend.

Gjini ka thënë se Kosova ndodhet në një nga periudhat më të vështira të saj, duke theksuar se vendi është jashtë afateve kushtetuese për themelimin e institucioneve.

“Jemi jashtë afateve kushtetuese dhe jemi afër ditës kur Kosova ka me dalë jashtë afateve kushtetuese për themelimin e institucioneve demokratike”, ka deklaruar Gjini.

Ai ka kritikuar ashpër qeverisjen aktuale, duke e akuzuar për dështime në ekonomi, arsim, shëndetësi dhe politikë të jashtme, si dhe për “rrënim institucional dhe mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”.

Sipas tij, Kosova ndodhet në një situatë nga e cila nuk mund të dalë pa pasoja, ndërsa ka thënë se Aleanca ka ofruar rrugë për tejkalimin e krizës politike.

Një pjesë të rëndësishme të deklarimit të tij, Gjini ia kushtoi sektorit energjetik. Ai tha se Kosova do të duhej të prodhonte rreth 600 megavat energji elektrike, gjë që, sipas tij, do ta ulte ndjeshëm nevojën për importe.

Ai pretendoi se importi i energjisë është shndërruar në një skemë të madhe përfitimi, duke akuzuar se energjia blihet me çmime shumë më të larta sesa kostoja e prodhimit të saj në Kosovë.

Gjini përmendi edhe shitjen e qymyrit jashtë vendit, duke thënë se Kosova shet lëndën e parë dhe më pas blen energjinë e prodhuar me të nga vendet e rajonit.

Këto deklarata ai i shoqëroi me akuza për keqmenaxhim dhe korrupsion, pa paraqitur gjatë konferencës prova konkrete për pretendimet e tij.

“Nuk duhet të lejojmë të baltoset lufta për liri”

Gjini foli edhe për luftën e Kosovës për liri dhe mënyrën se si, sipas tij, po tentohet të deformohet historia e saj.

Ai tha se nuk duhet të lejohet që lufta e UÇK-së dhe sakrificat e njerëzve që kanë kontribuar për lirinë e Kosovës të paraqiten përmes narrativave që, sipas tij, e baltosin atë histori.

“Sot duhet t’i tregojmë vetes dhe njerëzve se lufta jonë ka qenë e drejtë. Nuk duhet me leju që të mbyllet tregimi ynë për lirinë dhe të baltoset ai tregim”, tha Gjini.

Sipas tij, përçarja dhe humbja e besimit në institucionet dhe vlerat e Kosovës kanë dobësuar shoqërinë dhe shtetin.

Gjini: Bllokimi i Kuvendit është shkelje e rëndë e Kushtetutës

Kryetari i Aleancës e cilësoi situatën aktuale në Kuvend si një nga problemet më serioze institucionale në vend.

Ai tha se pengimi i deputetëve për të ushtruar funksionet e tyre përbën, sipas tij, “shkeljen më brutale të Kushtetutës, të rendit kushtetues dhe të demokracisë në Kosovë”.

“Një njeri i vetëm nuk mund ta krijojë Kushtetutën, nuk mund t’i krijojë deputetët e zgjedhur dhe nuk mund t’i zëvendësojë institucionet”, deklaroi Gjini.

Ai e kritikoi gjithashtu qeverisjen e vendit gjatë viteve të fundit, duke thënë se Kosova është përballur me “krizë, depresion, fragmentim dhe shkatërrim”, për të cilat përgjegjësinë ia atribuoi, siç tha, një udhëheqësi që nuk ka pasur kapacitetin për ta drejtuar vendin në drejtimin e duhur.

Gjini: Aleanca nuk ekziston për t’i mbuluar dështimet e të tjerëve

Duke folur për qëndrimin e Aleancës ndaj krizës politike, Gjini tha se partia e tij nuk do të shërbejë për të “mbuluar zbrazëtirat” e subjekteve të tjera.

“Ne jemi formuar për me i mbuluar zbrazëtirat dhe për me i shërbyer Kosovës, jo për partitë të cilat dështojnë”, tha ai.

Gjini kritikoi edhe mungesën e, siç u shpreh, vullnetit për të marrë vendime dhe për të përfunduar projekte të rëndësishme për vendin.

Në fund, ai tha se situata aktuale po krijon pasiguri dhe shqetësim te qytetarët, ndërsa kërkoi zgjidhje për krizën politike dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

zjarri ne bojane vihet nen kontroll flaket vijojne ne malin e kitkes 6a8dbf0e84d9a
Lajmi i mëparshëm

Zjarri në Bojanë vihet nën kontroll, flakët vijojnë në malin e Kitkës

nga dietat te shpenzimet per karburantin mbi 700 mije euro per deputetet ne korrik u rimbursuan per qirate edhe ata qe deklaruan miliona euro 6a8dd6105b7af
Lajmi i radhës

Nga dietat te shpenzimet për karburantin/ Mbi 700 mijë euro për deputetët në korrik, u rimbursuan për qiratë edhe ata që deklaruan miliona euro

Të fundit nga

ShkoLartë