Ministrja gjermane e Punëve të Brendshme, Nancy Faeser, tha se dezertorët rusë mund të kërkojnë mbrojtje në Gjermani.
Dezertorët rusë, të cilëve u kanosen represione të rënda, mund të aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare në Gjermani, tha të enjten, 22.09,22 ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, në një intervistë për Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung. Kurse kundërshtarët e regjimit rus që janë në “rrezik të madh” mund të aplikojnë për azil politik, tha ajo. Faaser tha më tej se edhe Zyra e Migracionit në Gjermani është vënë në dijeni për këtë dhe e ka aktualizuar rregulloren përkatëse. Por vendimi për azil politik është një vendim individual, në kuadër të të cilit bëhet edhe një kontroll i sigurisë.
Dy parti të koalicionit të qendrës së majtë, liberalët (FDP) dhe Të Gjelbrit, kërkuan të parët pranimin e dezertorëve rusë. Ministri Federal i Drejtësisë Marco Buschmann, (FDP) tha se “Kushdo që urren rrugën e Putinit dhe e do demokracinë liberale është i mirëseardhur në Gjermani”. Partitë reaguan kështu, pas thirrjes së Putinit për rekrutimin e 300,000 rezervistëve. Pas kësaj thirrjeje shumë të rinj ishin përpjekur të largoheshin nga Rusia të mërkurën. Biletat për fluturime jashtë vendit u shitën të gjitha brenda një kohe shumë të shkurtër.
Vendet e Evropës Lindore janë kundër
Edhe një zëdhënëse e Komisionit të BE-së tha enjten në Bruksel se personat në fjalë kanë të drejtë të kërkojnë azil në vendet e BE-së. Por parimisht duhen marrë parasysh edhe aspektet e sigurisë.
Por jo të gjitha vendet janë të gatshme t’u japin strehim shtetasve rusë. Çekia për shembull, është kundër: Qeveria në Pragë nuk u jep mbrojtje ndërkombëtare rusëve që detyrohen të largohen nga vendimet e Putinit, tha ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky. “Vetëm mosplotësimi i detyrimeve ndaj vendit nuk përbën kusht për të kërkuar vizë humanitare,” argumentoi ai. As vendet baltike, Estonia, Letonia dhe Lituania nuk janë të gatshëm të strehojnë dezertorë rusë.
Organizata gjermane që mbron të drejtat e refugjatëve, Pro Asyl, i kishte bërë thirrje qeverisë gjermane që t’u japë viza humanitare rezervistëve që tani ndodhen jashtë vendit, në mënyrë që të mund të udhëtojnë për në Gjermani. Edhe Rrjeti i dezertorëve të luftës “Connection” ka tërhequr vëmendjen se jo të gjithë dezertorët mund të kenë një fletë-thirrje për rekrutim, dhe kërkoi nga qeveria që t’i strehojë ata edhe pa dokumente formale./DW