Gjermania ndalon transmetimin e kanalit shtetëror rus RT DE

Gjermania njofton se ka ndaluar transmetimin e kanalit që financohet nga Kremlini, Russia Today (RT DE).

Siç thekson Mbikëqyrësi gjerman i Medias (MABB), RT DE ishte larguar nga rrjeti satelitor i Evropës në mes muajit dhjetor 2021, vetëm pak javë pasi kishte nisur transmetimi.

Komisioni gjerman për Licencim dhe Mbikëqyrje të Medieve (ZAK) tha se e ndaloi RT DE të transmetonte sepse “nuk i është dhënë licenca e kërkuar sipas Ligjit të Medias”.

“Organizimi dhe shpërndarja e RT DE duhet të ndërpritet përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në internet, përmes aplikacionit TV ‘RT News’ dhe përmes satelitit”, njofton ZAK.

Kanali televiziv me seli në Moskë kishte marrë një licencë serbe për transmetim kabllor dhe satelitor, për të cilën RT thotë se e lejon atë të transmetohet në Gjermani.

Licenca për transmetimin e programit të RT DE nga Serbia është lëshuar më 6 dhjetor nga Organi Rregullativ Serb për Media Elektronike (REM).

Nga ana tjetër, rregulloret në Gjermani nuk lejojnë që kanalet televizive shtetërore të huaja të transmetojnë në territorin e saj, duke përfshirë RT, si një medie që financohet nga Kremlini.

Themeluar në vitin 2005 si Russia Today, RT akuzohet nga vendet perëndimore për shpërndarje të dezinformatave dhe propagandë në favor të Kremlinit.

Ky televizion është ndaluar në disa vende, duke përfshirë ish-republikat sovjetike të Lituanisë dhe Letonisë

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Curri: Kjo ndërhyrje do të ndikojë edhe të Kombëtarja

Story i radhës

Osmani: Franca mbështet procesin e integrimit të RMV-së në BE

Të fundit nga