Gjermania mund të funksionojë pa gazin rus, thotë ministri

Gjermania mund të plotësojë nevojat e saj për energji pa gaz rus, tha ministri i saj i ekonomisë të mërkurën, pasi qeveria vendosi të ndalojë miratimin e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2 në mes të tensioneve në rritje në Ukrainë.

I pyetur në radion publike nëse ekonomia më e madhe e Evropës mund të bënte pa furnizime me gaz natyror nga Rusia, aktualisht furnizuesi i saj më i madh, Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck u përgjigj, “po, mundet”.

Të martën, kancelari Olaf Scholz tha se miratimi i gazsjellësit NordStream 2 nga Rusia do të pezullohej në përgjigje të vendimit të Presidentit Vladimir Putin për të njohur dy rajone separatiste të Ukrainës.

Shkëputja plotësisht nga gazi rus do të linte një vrimë të madhe në treg që në radhë të parë do të “rriste çmimet “, tha Habeck i Partisë së Gjelbër.

Megjithatë, kërkesat e Gjermanisë për energji mund të “kompensohen” me burime dhe furnizues të tjerë të energjisë, duke përfshirë një shtytje të përshpejtuar të burimeve të rinovueshme të përcaktuara nga qeveria, tha ai.

Gazsjellësi Nord Stream 2, i cili u përfundua, por nuk u miratua kurrë nga rregullatorët, ishte vendosur të rriste varësinë e Gjermanisë nga Rusia për gaz në 70 për qind të furnizimeve të saj totale.

Projekti u mbështet vazhdimisht nga kancelarja e mëparshme Angela Merkel, e cila u largua nga detyra në fund të vitit të kaluar, si dhe pasardhësi i saj Scholz – deri në krizën aktuale.

Më 21 shkurt, Putin nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së rajoneve separatiste, Luhansk dhe Donjeck, rajone këto që kontrollohen nga separatistët pro-rusë, të cilët luftojnë kundër forcave ukrainase qysh në vitin 2014.

Pas këtij vendimi, shumë vende perëndimore përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendosën sanksione ndaj Rusisë./REL

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Manastirliu në mbledhjen me Komitetin Teknik të Ekspertëve: Ulet në 5 ditë karantina

Story i radhës

Kodi Zgjedhor është diskriminues, përjashtues i pabarabartë, duhet prekur në themel të sistemit

Të fundit nga