Gjermania ka siguruar një lidhje energjetike me qendrën që planifikohet të ndërtohet në Detin Baltik për prodhimin e energjisë përmes erës. Kjo pritet t’i ndihmojë Berlinit që të ulë varësinë që ka ndaj energjisë ruse, bëri të ditur Ministria e Energjisë së Danimarkës, vendit ku do të ndërtohet kjo qendër.
Qendra e planifikuar e energjisë në ishullin Bornholm pritet të ndërtohet më 2030. Kjo qendër do të ketë lidhje me disa parqe të erës në Baltik dhe do të ketë kapacitet të prodhimit të paktën prej 3 gigavatësh, që janë të mjaftueshme për të ofruar energji për 4.5 milionë amvisëri gjermane, tha Ministria e Energjisë përmes një njoftimi.
Qendra erës do të lidhet me Gjermanisë përmes një kablloje të energjisë të gjatë prej 470 kilometrash.
Investimet dhe përfitimet në të ardhmen do të ndahen në mënyrë të barabartë midis Gjermanisë dhe Danimarkës, u tha në njoftim, pa dhënë detaje për koston financiare.
“Bashkëpunimi danezo-gjerman është projekti kryesor”, tha ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës, Robert Habeck, përmes një njoftimi.
“Rryma e gjelbër nga ishulli Bornhold do të furnizojë prodhimin kombëtar të energjisë dhe do të ulë varësinë tonë nga importet e energjisë fosile”, shtoi ai.
Vitin e kaluar, të dy shtetet funksionalizuan një kabllo të energjisë, që po ashtu lidhet edhe me disa ferma të tjera të erës në Detin Baltik.
Projekti në Bornholm është pjesë e një plani më të gjerë të Danimarkës që ka për synim që në vitin 2030 të pesëfishojë prodhimin e energjisë përmes erës, në qendrat në det të hapur.
Planet e mëhershme të shteteve veriore të Evropës për të krijuar një linjë të përbashkët energjetike nën Detin e Veriut, me qëllim që të lidhej me fermat e erës, kanë hasur në probleme financiare dhe sfida ligjore.
Danimarka do të jetë nikoqire e samitit të energjisë në Detin Baltik, i cili do të mbahet të martën./REL