Në Ukrainë janë të zhgënjyer, sepse Gjermania nuk dërgon furnizime me armë. Kjo në një kohë kur marrëdhëniet janë të ngushta.
Çfarëdo që të planifikojë Presidenti Vladimir Putin me përqëndrimin masiv të trupave në drejtim të Ukrainës – një pikë ai tani e ka fituar: marrëdhëniet e mira midis Kievit dhe Berlinit lëngojnë. Ukrainasit për momentin nuk janë pjesë dhe u duhet të shikojnë se si bëhet politikë botërore përreth tyre. Debutimet e Presidentit francez Emmanuel Macron në Moskë dhe të Kancelarit gjerman Olaf Scholz te Presidenti i SHBA Joe Biden këtë javë e treguan këtë në mënyrë mbresëlënëse. Zhgënjimi te elitat ukrainase është i thellë: për shkak të gazsjellësit të polemizuar Nord-Stream 2 dhe sepse Gjermania nuk i dërgon armë Ukrainës.
Tani veç kësaj ka diskutime për mbështetjen që Gjermania i ka dhënë me të vërtetë Ukrainës që nga revolucioni pro-evropian i Maidanit shtatë vjet më parë. Kancelari gjerman Olaf Scholz e bëri llogarinë në një intervistë televizive me kanalin e parë televiziv gjerman pak para udhëtimit të tij në Shtetet e Bashkuara: gati dy miliardë euro janë paguar që kur ukrainasit votuan për zgjedhjet demokratike, për një orientim pro-evropian dhe kundër tyre qeverisë pro-Kremlinit, të rrëzuar në vitin 2014.
Andrij Melnyk, ambasador i Ukrainës në Gjermani
Gjatë konferencës së shtypit me Joe Biden-in në Uashington, ai shton një shtresë tjetër dhe përmend 3.8 miliardë euro të tjera nga Bashkimi Evropian, nga të cilat Gjermania është kontribuuesi më i madh neto. Për më tepër: Scholzi shpjegon se ne po diskutojmë me Shtetet e Bashkuara për të zbuluar se kush i ka dhënë në të vërtetë “më shumë ndihmë” Ukrainës që nga viti 2014. Pra, Gjermania apo SHBA, të cilat tani madje furnizojnë armë.
Armë për të mbrojtur veten
Më parë, ambasadori ukrainas në Berlin, Andrij Melnyk, bubulliu gjatë një interviste radiofonike për radion kombëtare gjermane Deutschlandfunks, me fjalët askush nuk kishte mundur t’i shpjegonte në mënyrë të detajuar se ku qenë përqendruar këto ndihma. Ai vlerëson se Gjermania i ka dhënë vendit të tij 750 milionë euro si “ndihmë zhvillimore” që nga viti 2014. Dhe kjo “e vendos Ukrainën në vendin e 13-të, pas Kongos dhe Tunizisë”, thotë ambasadori në intervistën radiofonike. “Ne e vlerësojmë ndihmën që kemi marrë nga Gjermania. Nuk ka dyshim se ne jemi shumë mirënjohës për këtë,” vazhdon Melnyk, por gjithçka duhet vënë në perspektivë. Zhgënjimi shkon thellë – kjo duket qartë.
Në kërkesën e saj për armë mbrojtëse, Ukraina i referohet parimeve të eksportit të hartuara nga qeveria e mëparshme gjermane për Ministrinë gjermane të Ekonomisë. Në to përcaktohet se “eksportet drejt vendeve të përfshira në konflikte të armatosura” nuk duhet të bëhen, përveç rastit “të zbatimit të nenit 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Ky nen rregullon të drejtën e çdo shteti për të mbrojtur veten.
Duhen më shumë se fjalë dhe këshilla
Kësaj i referohet edhe ukrainasi më i famshëm në Gjermani: kryebashkiaku i kryeqytetit Kiev dhe ish-boksieri profesionist Vitali Klitschko. Ai e kupton që Gjermania nuk i dorëzon armë një “vendi agresiv. Por është krejt tjetër gjë të dëshirosh të mbrohesh,” tha Klitschko në një intervistë me të përjavshmen Die Zeit dhe ambasadori Melnyk e mbështet atë: “Ajo që ka rëndësi është që ne të ndihmohemi me armë mbrojtëse dhe jo vetëm me fjalë apo këshilla të bukura”.
Formulimi ka një kuptim më të thellë: në të vërtetë, që nga revolucioni i Maidanit, Berlini ka ndihmuar Ukrainën të ruajë kursin e saj evropian me anë të qindra kontratave të konsulencës dhe programeve të ndihmës. Në hotelet e Kievit, janë kryesisht ekspertë gjermanë të ekonomisë ata që zëvendësojnë njëri-tjetrin. Nëpërmjet Fondit Monetar Ndërkombëtar, Berlini ka ndihmuar në stabilizimin e ekonomisë kombëtare të Ukrainës dhe monedhës kombëtare, grivna, që nga viti 2014. Pa këtë ndihmë Kievit do t’i ishte dashur bënte prej shumë kohësh një reformë monetare.
Ushtar ukrainas pranë Donjeckut
Ndihma për shoqërinë civile
Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Gjermania ka mbështetur Ukrainën në mënyrë dypalëshe “me një shumë të përgjithshme prej më shumë se 1.8 miliardë eurosh që nga viti 2014″. Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, “projektet e kryera për shembull nga fondacionet politike, shoqatat dhe organizatat joqeveritare kanë plotësuar masat e marra nga shteti”. Kancelari Scholz padyshim iu referua kësaj figure në intervistën e tij të fundit televizive.
Financohen gjithashtu projekte reformuese “me shoqërinë civile në vendet e Partneritetit Lindor dhe Rusisë“. Ukrainasit janë të përfshirë në gjysmën e këtyre më shumë se 200 projekteve. Këto përfshijnë mbështetjen për krijimin e një “radio-televizioni publik të pavarur” në Ukrainë dhe forcimin e shkëmbimeve rinore.
Bilanci tregtar në nivelin para pandemisë
Në fakt, Gjermania angazhohet në Ukrainë më shumë se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian. Është në natyrën e gjërave – Gjermania është vendi më i madh në strukturën e BE-së të 27 vendeve anëtare. Dhe kjo mund të shihet veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike gjermano-ukrainase. Këto vazhdojnë të konsolidohen pavarësisht kërcënimeve të fqinjit të madh rus. Interesi i sipërmarrësve gjermanë për të bërë biznes në Ukrainë nuk po zbehet: “Nuk kemi pasur kurrë kaq shumë pyetje sa muajt e fundit“, thotë Alexander Markus, President i Dhomës Gjermano-Ukrainase të Tregtisë dhe Industrisë në Kiev, gjatë një interviste me DW.
Për më tepër: Në vitin 2021, bilanci tregtar midis Gjermanisë dhe Ukrainës u rikuperua plotësisht në vetëm një vit nga rënia e shkaktuar nga pandemia Covid 19 në vitin e kaluar, sipas Markusit. Tani është kthyer në 7.7 miliardë euro, pothuajse aq sa midis fqinjit të Ukrainës dhe anëtarit të BE-së, Rumanisë, e cila ka rreth gjysmën e popullsisë së Ukrainës. Ukraina eksportoi mallra dhe shërbime me vlerë 2.8 miliardë euro në Gjermani. Kompanitë gjermane bënë biznes në Ukrainë me vlerë 4.9 miliardë euro. Rrjeti ekonomik midis Ukrainës dhe Gjermanisë është më i fortë se çdo vend tjetër në Bashkimin Evropian. Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë, në Ukrainë janë aktive rreth 2000 kompani gjermane. Ata furnizojnë me gjithçka që prodhon industria gjermane – por jo armë