Komunat gjermane po përballen me fluks të madh refugjatësh, jo vetëm nga Ukraina. Ministrja e Brendshme gjermane kritikon praktikat e vizave në Serbi.
Shumë komuna në Gjermani janë të mbingarkuara plotësisht me strehimin dhe kujdesin e refugjatëve dhe kanë kohë që kanë vënë alarmin në Ministrinë e Brendshme Federale. Ata thjesht kanë nevojë për ndihmë. Ata ndihen të lënë vetëm nga qeveria federale sa u përket refugjatëve të luftës nga Ukraina, por edhe për azilkërkuesit e tjerë.
Rreth një milion refugjatë lufte janë pranuar në Gjermani që nga pushtimi rus në Ukrainë, në shkurt të këtij viti. Megjithatë, në muajt e fundit, numri i azilkërkuesve që po lëvizin në veri nëpërmjet Detit Mesdhe dhe të ashtuquajturit itinerar i Ballkanit është rritur sërish. Nga janari deri në shtator 2022, janë dorëzuar në Zyrën Federale për Migracionin dhe Refugjatët, BAMF, 135,000 kërkesa fillestare për azil. Kjo është 35 për qind më shumë se në vitin 2021.
Palestra dhe tenda
Gjithnjë e më shumë komuna thonë se nuk kanë më kapacitete strehimi dhe po i strehojnë refugjatët nëpër palestra shkollash dhe vende të improvizuara. Gjendja është e ngjashme me të ashtuquajturën krizë refugjatësh në vitin 2015 dhe 2016, tha nënpresidenti i Kongresit të Qyteteve, kryebashkiaku i Lajpcigut, Burkhard Jung. Dy qytete me tenda janë ngritur tashmë në Lajpcig dhe një sallë e panairit në Dresden duhet të përdoret për akomodim.
Megjithatë, barra shpërndahet në mënyrë të pabarabartë. Kushdo që vjen në Gjermani nga Ukraina mund të lëvizë lirshëm deri në 90 ditë. Dy të tretat e refugjatëve të luftës kanë gjetur strehim privat ose kanë marrë vetë një apartament me qira. Të tjerët shkojnë kryesisht në qytetet e mëdha. Sipas ministres së Brendshme Faeser, vetëm 68 përqind e 300 objekteve të vëna në dispozicion nga qeveria federale janë të okupuara. Ka hapësirë kryesisht në zonat rurale dhe qytetet më të vogla.
Për t’u ardhur në ndihmë qyteteve, Faeser premtoi se do të sigurojë 56 objekte shtesë me 4,000 vendstrehime shtesë. Ajo nuk mund të ofronte më shumë para, pasi kjo është në kompetencë të kancelarit dhe kryeministrave të landeve. Negociatat do të zhvillohen në nëntor. Ministri i brendshëm i Bavarisë Herrmann tha se “në kushtet e rritjes së madhe të inflacionit, rritjeve masive të çmimeve që kemi, natyrisht është e qartë se rimbursimet për bashkitë duhet të jenë pak më të larta se ato për vitin 2021.”
Më shumë kontrolle kufitare në jug
Ndërsa pranimi i mëtejshëm i refugjatëve të luftës nga Ukraina është diçka që nuk ka nevojë për debate në Gjermani, qeveria federale dëshiron të kufizojë “hyrjen e paautorizuar” të azilkërkuesve nga vende të treta të sigurta. Presioni po rritet aktualisht jo vetëm në Gjermani, por në përgjithësi në kufijtë e jashtëm të BE-së. “Kjo më shqetëson”, tha Faeser.
Kontrollet kufitare me Austrinë do të mbeten edhe pas nëntorit edhe për gjashtë muaj të tjerë. Në kufirin me Republikën Çeke, policia federale po kryen kontrolle të shtuara dhe të fshehura. Faeser tha se ka kryer “biseda shumë serioze” me kolegët e saj në Republikën Çeke dhe Austri, për të rritur kontrollet e tyre kufitare me Sllovakinë.
Praktika e vizave e Serbisë “e papranueshme”
Faeser tha se në nivel evropian duhet të këshillohemi për situatën në Serbi dhe për të rritur përdorimin e Frontexit. Ajo tha se Serbia lejon hyrjen pa viza për shumë kombësi, duke përfshirë sirianë, irakenë dhe turq, por edhe indianë dhe pakistanezë. Autoritetet po vërejnë se gjithnjë e më shumë njerëz nga këto vende udhëtojnë me avion në Serbi dhe prej andej kalojnë kufirin me makinë përmes Kroacisë, Sllovenisë dhe Austrisë, ose Hungarisë, Sllovakisë dhe Republikës Çeke dhe vijnë në Gjermani./DW