A do ta ndërtojë një kompani greke, austriake, izraelite apo gjermane Qendrën e re Klinike?
Në Ministrinë e Shëndetësisë në periudhën e kaluar, 6 kompani të huaja të angazhuara në ndërtim kanë prezantuar konceptet për ndërtimin, financimin dhe trajnimin e stafit profesional dhe administrativ.
Në një prononcim për Tv Sitel, ministri Bekim Sali thotë se duan të mbledhin përvoja dhe të zgjedhin modelin dhe mënyrën më të mirë të ndërtimit të kompleksit, i cili për 15 vjet është vetëm në letër dhe themelet nuk janë goditur.
“Grupi koordinues i punës pati disa takime me kompani ndërkombëtare. Të jem i sinqertë, ishin prezantime më informuese nga kompanitë që kanë qindra projekte të tilla në portofolin e tyre dhe për të mbledhur informacione dhe përvoja se cili model na përshtatet më shumë dhe ndoshta do të gjejmë një që nuk është zbatuar deri më tani”, thotë ministri Bekim Sali.
Autoritetet shëndetësore nuk kanë përcaktuar nëse do të zgjedhin një nga kompanitë që kanë vizituar ministrinë.
Por kushdo që ta ndërtojë, sipas kritereve të Ministrisë së Shëndetësisë, do të jetë në lokacionin Velepole.
Për Bekim Saliun është prioritet qendra e re klinike, por do të realizohet kur të kenë para.
“Po mundohemi të gjejmë një mënyrë, ndoshta paketa financiare që të përfshijnë interesin social publik në institucionet që do të dhuronin dhe një pjesë të huamarrjes së qeverisë nga një qeveri tjetër, pra një nga vendet tona mike”, u shpreh Sali.
Për Velepolën, e cila ishte edhe lokacioni i zgjedhur i ministrit të mëparshëm Filipçe, pati shumë kritika dhe bllokada nga opozita në Kuvend.
Këtë vit si skenarë të mundshëm ishin në tavolinë kazerma Ilinden dhe rr. 8 Shtatori, por kriteret ishin më të përshtatshme për vendin në Gjorçe Petrov.
Nga viti 2009 e deri më tani, të gjithë ministrat e Shëndetësisë kanë prioritizuar një kompleks të ri klinik, por askush nuk e ka vendosur themelin.
Derisa qytetarët janë në pritje të atij momenti, një numër i madh klinikash po rinovohen në mënyrë që të ofrojnë shërbime adekuate.