Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se ndërtimi i një administrate publike profesionale, transparente, efikase dhe llogaridhënëse është kusht thelbësor për zbatimin e ligjeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve, si dhe për avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Sipas saj, nga perspektiva e Ministrisë së Drejtësisë, reforma në administratë lidhet drejtpërdrejt me sigurinë juridike, cilësinë e vendimmarrjes administrative, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe funksionimin efektiv të institucioneve.
Ajo ka theksuar se ligjet nuk kanë efekt të plotë nëse nuk zbatohen nga një administratë me përgjegjësi të qarta dhe me mekanizma funksionalë kontrolli.
Gërvalla ka veçuar si zhvillim të rëndësishëm themelimin e Gjykatës Administrative më 5 maj të këtij viti, duke e cilësuar atë si gjykatën e parë të specializuar në Republikën e Kosovës.
Sipas saj, kjo gjykatë do të trajtojë konfliktet administrative dhe kontestet e punës në sektorin publik, duke rritur llogaridhënien e administratës ndaj qytetarëve.
Ajo ka shtuar se reforma në kontestet administrative duhet parë si pjesë e një procesi të gjerë institucional, ku përmirësimi i vendimmarrjes administrative do të ulë numrin e vendimeve të anuluara dhe do të rrisë mbrojtjen juridike për qytetarët, duke reduktuar njëkohësisht kostot për buxhetin publik.
Në fund, Gërvalla ka theksuar se integrimi evropian nuk nënkupton vetëm harmonizim ligjesh me Bashkimin Evropian, por edhe krijimin e institucioneve që i zbatojnë ato në mënyrë profesionale, të paanshme dhe efektive.
Burimi: botasot.info


