Gati gjysma e komunave pa noterë

February 10, 2022
min lexim

Nga 38 komuna sa ka gjithsej Kosova, 16 prej tyre nuk kanë asnjë noter, ndërsa numri i përgjithshëm i këtyre juristëve profesionalë është 57.

Numër më i madh i noterëve kërkohet me Ligjin e ri të Noterisë, të miratuar në vitin 2018. Një procedurë për emërimin e noterëve të rinj ka nisur në vitin 2019, por është anuluar.

Noterizimi është proces zyrtar i parandalimit të mashtrimeve, që siguron palët e përfshira në një marrëveshje apo transaksion, se dokumenti i tyre është autentik.

Komuna e Rahovecit, që gjendet në jugperëndim të Kosovës, ka më shumë se dy vjet që është pa asnjë noter.

Për të noterizuar një dokument, qytetarët e Rahovecit duhet të shkojnë në komunat e afërta.

Në një situatë të tillë shpesh gjendet Shpend Gashi, nga fshati Kramavik i Rahovecit, i cili qysh në vitin 2008 drejton një kompani gurthyesish.

“Shumë shpesh na duhet të shkojmë te noteri për një vërtetim të diplomës ose një autorizim të automjetit. Më herët i kemi pasur në Rahovec dhe kryenim punë më afër. Tash duhet të shkojmë në Gjakovë, Suharekë, Prizren ose Prishtinë. Sot [e martë, 8 shkurt] kam qenë në Prishtinë, kam qenë te katër noterë, asnjëri nuk më ka kryer punë”, rrëfen Gashi për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur se përse nuk i është noterizuar dokumenti, Gashi thotë se vlera e punës që ka kërkuar t’i kryhet “ka qenë e vogël”.

Çmimi për një faqe të dokumentit që duhet të noterizohet është 1.18 euro.

Përveç Rahovecit, aktualisht pa noterë janë edhe komunat: Istog, Obiliq, Skenderaj, Malishevë, Junik, Han i Elezit, Mamushë, Ranillug, Kllokot, Partesh, Kamenicë, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Noteri Sefadin Blakaj, i cili është pjesë e Odës së Noterëve të Kosovës, thotë se, në bazë të Ligjit për Noterinë, një noter duhet të jetë i disponueshëm për 10,000 banorë.

Kjo i bie që Kosova, me mbi 1.7 milion banorë, do të duhej të kishte më shumë se 170 noterë. Me ligjin e mëparshëm parashihej një noter për 20,000 banorë.

“Në komuna të mëdha ka noterë më shumë dhe qasja e qytetarëve është më e lehtë. Probleme ka në regjionin e Pejës, qytetarët e Istogut për disa vite nuk kanë qasje të mirë në noterë dhe detyrohen të shkojnë në Pejë. Po ashtu, edhe komuna të tjera kanë mbetur pa noterë”, thotë Blakaj për Radion Evropa e Lirë.

“Noterët e rinj” në pritje të vendimit të gjykatës

Noteri emërohet nga Ministria e Drejtësisë për kryerjen e disa formaliteteve ligjore.

Konkursi i fundit për noterë në Kosovë është shpallur në vitin 2019, por është anuluar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në shkurt të vitit 2020, gjatë mandatit të saj të parë si ministre. Si arsyetime janë paraqitur dyshimet për keqpërdorime në testin e noterisë.

Haxhiu ka thënë atëbotë se “shumica e kandidatëve të përzgjedhur kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë”.

Paraardhësi i saj, ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se “procesi i përzgjedhjes së noterëve ka qenë i rregullt”.

Provimit të noterisë në qershor të 2019-s i janë nënshtruar rreth 600 kandidatë, ndërsa 235 prej tyre e kanë kaluar me shkrim. Provimi mbahet edhe me gojë.

Në mesin e pjesëmarrësve në provim ka qenë edhe Ylli Bokshi.

Një muaj pas anulimit të konkursit, Bokshi bashkë me dhjetëra kandidatë të tjerë kanë ngritur padi kundër Ministrisë së Drejtësisë në Departamentin për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

“Unë, në asnjë mënyrë, nuk u kam kontribuar keqpërdorimeve që pretendon Ministria [e Drejtësisë]. Kur është shpallur konkursi, kam aplikuar si kandidat, pasi kam punuar te një noter për pesë vjet dhe e kam fituar përvojën. Jam i gatshëm të futem prapë në provim të noterisë dhe t’i dëshmoj njohuritë e mia”, thotë Bokshi për Radion Evropa e Lirë.

Gjykimi i rastit të anulimit të konkursit të noterisë ka përfunduar në fillim të këtij muaji dhe Gjykata Themelore në Prishtinë pritet të dalë shpejt me vendimin.

Nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, në krye të së cilës është Haxhiu, nuk japin ende detaje se si do të procedojnë tutje.

“Si Ministri e Drejtësisë jemi të detyruar të presim vendimin e gjykatës kompetente lidhur me anulimin e procesit të noterisë dhe sapo të kemi një vendim nga gjykata, do të shohim për të vazhduar me procesin përkatës që shpie në rekrutimin e noterëve të rinj”, thotë për Radion Evropa e Lirë Eros Gashi, këshilltar politik i ministres Haxhiu.

Juristi Fatos Zeqiri, ekspert i çështjeve të noterisë, thotë se rasti në gjykatë është dashur të trajtohet më me urgjencë, pasi mungesa e noterëve është “jashtëzakonisht e madhe”.

“Gjykata, për shkak të kompetencave që i kanë noterët me Ligjin për Noterinë, është dashur ta vendosë në procedurë urgjente [rastin]. Mungesa [e noterëve] ndikon edhe në aktivitetin ekonomik, në çështjet biznesore dhe private”, thotë Zeqiri.

Ai shton se nëse vendimi i ministres Haxhiu për anulim të konkursit është i ligjshëm, konkursi i ri për përzgjedhjen e noterëve të rinj duhet të hapet sa më shpejt./REL

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Gjekmarkaj: Vettingu shkëput reformën në drejtësi nga ahengu…!

Story i radhës

Paketa 4+1 në tryezën e MPJ-ve të Maqedonisë dhe Bullgarisë

Të fundit nga

ShkoLartë