Freddy Rincon, ish-mesfushori i Napolit dhe Real Madridit, dikur kapiteni i Kolumbisë, mbetet “në gjendje kritike”, i shtruar në terapi intensive pas një aksidenti automobilistik në Cali (në jugperëndim të vendit), siç raportohet nga një mjek i klinikës “Imbanaco”, Grupo Quironsalud, cituar nga media lokale.
Ish-lojtari 55-vjeçar u operua për 2 orë e 45 minuta dhe është në një prognozë konfidenciale. Sipas një zëdhënësi të spitalit, Rincon mbërriti në urgjencë me një dëmtim të rëndë traumatik të trurit.
Në aksident janë përfshirë një autobus dhe një furgon me katër pasagjerë (sipas njërit prej tyre, ish-napolitani drejtonte furgonin). I mbiquajturi ‘El Coloso’, Rincon ishte një nga protagonistët e kombëtares kolumbiane gjatë Kupës së Botës 1990 në Itali.
Ai ishte anëtar i atij brezi të artë që u kualifikua në tre Botërorë radhazi (1990, 1994 dhe 1998). Ai gjithashtu luajti me Palmeiras dhe Corinthians (Brazil), si dhe America de Cali (Kolumbi).
Ngjarja ka ndodhur dje në orën 5 të mëngjesit, shumë afër stadiumit “Pascual Guerrero”. Personat që ndodheshin në MIO dhe drejtuesi i tij janë dërguar në spital për të bërë vlerësimin përkatës. Gjendja e Freddy Rincón mbetet shqetësuese.
Klinika Imbanaco me anë të një komunikate konfirmoi mbrëmë se ish-lojtari do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale pas skanimit mjekësor. Nga ana e tij, Laureano Quintero, drejtori mjekësor i klinikës konfirmoi se ishte në një situatë kritike dhe në terapi intensive, do t’i nënshtrohej operacionit dhe më pas në reanimacion.