Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, deklaroi se vendi po vazhdon me përkushtim rrugën drejt integrimit evropian dhe se institucionet janë aktive dhe po punojnë në zbatimin e reformave të nevojshme.
“Siç e dini, nga procesi i skriningut ka rezultuar se gati 50% e legjislacionit tonë tashmë është i harmonizuar me atë të Bashkimit Evropian, që përbën një arritje të dukshme dhe shumë të rëndësishme. Ne do të vazhdojmë ta zgjerojmë këtë harmonizim”, deklaroi Gashi për emisionin “BE-NE” që emitohet ne servisin publik në Gjuhën Shqipe.
Ai gjithashtu vuri në dukje një sukses tjetër në rrugën drejt standardeve evropiane: eliminimin e plotë të keqpërdorimit të flamurit evropian në procedurat ligjvënëse.
“Në raportin e parë të vitit të kaluar të Komisionit Evropian, u theksua se është eliminuar tërësisht keqpërdorimi i flamurit evropian. Kjo do të thotë se tashmë nuk ka më ligje që kalojnë në procedurë të përshpejtuar në Parlament duke u justifikuar me flamurin evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar me flamur evropian janë dakorduar me Zyrën dhe Misionin e BE-së në vend, dhe janë në funksion të agjendës reformuese”, shtoi ai.
Gashi ritheksoi përkushtimin e Kuvendit për të çuar përpara reformat në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe shprehu optimizëm për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit.