Shkup, 24 nëntor – Galeria e Arteve në Kumanovë, vendi i cili ndodhet në qendër të qytetit, por për këtë vend pak qytetarë janë të njoftuar ku ndodhet saktësisht. Tabela është vetëm në gjuhën maqedonase, mbase kjo nuk është arsyeja kryesore që ky vend është “enigmatik” për shqiptarët, por mbi të gjitha është tregues që shqiptarët nuk janë të mirëpritur në këtë vend. Më e çuditshme se tabela në gjuhën maqedonase, është baneri informues i vendosur në hyrje të Galerisë me mbishkrim në gjuhën maqedonase për “njohje me veshjet shqiptare”, shkruan Zhurnal.
Ekspozitë në Kumanovë “njohja e veshjeve të shqiptarëve” –
Për nder të ditës së Alfabetit më 22 nëntor është hapur ekspozita tre ditore në Galerinë e Arteve në Kumanovë, ku janë vendosur veshjet tradicionale të shqiptarëve. Kjo krejt për qëllim që veshjet tradicionale të promovohen dhe të sillen në skenë në sy të qytetarëve, sepse rrezikohen nga asimilimi, harresa, tjetërsimi, vjedhja, e shumë gjëra tjera të dëmshme që humbin këtë vlerë kulturore kombëtare.
Ndryshe, ekspozitat e kësaj natyre janë pasuri kombëtare e vlerë kulturore që duhet sa më shumë vlerësuar. Kemi të bëjmë me punë profesionale të lodhshme e që bëhet me shumë vullnet. Por, më e rëndësishme se kaq vizitat e ekspozitave e tilla ruajnë dhe promovojnë vlerat e veshjeve të kombit shqiptarë.
Interesimi i ulët në këto ekspozita prodhon pasoja afatgjata që gjeneratat e reja do të jenë më të varfra për nga aspekti i dijes dhe informacioneve për veshjet tradicionale të kombit shqiptarë, për veshjet që paraardhësit e tyre i kanë veshur dhe i kanë ruajtur me kujdesin më të lartë të mundshëm.
Gjatë pjesëmarrjes në këtë ekspozitë ajo që vërehet dhe bie në sy është tabela e vendosur vetëm në gjuhën maqedonase në Galerinë e Arteve, gjë që diskriminon shqiptarët, si dhe mbishkrimi në banerat informues për këtë ekspozitë që është bërë vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo mbase edhe duket më shumë qesharake se diçka serioze kur vetëm në gjuhën maqedonase informohet për ekspozitën e veshjeve shqiptare.
Tabela e Galerisë së Arteve në Kumanovë vetëm në gjuhën maqedonase-
Kumanova është qytet me popullatë multi-etnike, por kjo nuk prish punë që shumë tabela ende të ngelin vetëm në një gjuhë atë maqedonase, pra nuk respektohet as ligji diskriminues, që parasheh që gjuha shqipe të jetë zyrtare në Komunat ku ka më shumë se 20% shqiptarë.
Informimi për “njohjen me veshjen shqiptare” në gjuhën maqedonase-
„Препознатливост на албанската носија„ është ky mbishkrim i vendosur banerat informues në dyert e Galerisë së Arteve, që krijon një habi të llojit të veçantë sepse kemi të bëjmë me një ekspozitë ku promovohen veshjet tradicionale shqiptare, por rastësisht apo qëllimisht informimi bëhet vetëm në gjuhën maqedonase. Kjo mbase mund të jetë edhe përparësi që bashkëqytetarët maqedonas të informohen nëse janë të interesuar për veshjet e shqiptare, por kjo asesi nuk duhet të ishte vetëm në gjuhën maqedonase, pse mos të jetë edhe në gjuhën shqipe?!
Megjithatë, kujtojmë që kultura e veshjes te populli shqiptar përfaqëson specifikë dhe pasuri, jep shenjë përkatësie, ndjenjë kombëtare dhe vetëshprehje. Veshja shikuar nga aspekti i trashëgimisë kulturore ka vlera etnologjike, sociale, artistike, si dhe është identifikim kulturor. Prandaj, ekspozitat e tilla duhet të jenë më të zëshme, më të vizituara dhe të ndjejnë të gjithë bashkërisht atë që është vlerë, të ruhet e të trashëgohet brez pas brezi. /Zhurnal.mk
Burimi: zhurnal.mk