Tash e tri javë komuna e Fushë-Kosovës ka mbetur pa shërbimin pediatrik, pasi pediatri i vetëm në këtë komunë është pensionuar. Derisa qytetarët po kërkojnë që sa më parë ky shërbim të kthehet në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, në komunë thonë se tashmë konkursi për pediatër është hapur.
Besiana Ajvazi-Avdiu e kishte sjell vajzën e saj për kontroll te pediatri, por u detyruar që këtë shërbim mjekësor ta marrë te mjeku familjar.
Ajo thotë se frikësohen t’i kontrollojnë fëmijët te mjekët e përgjithshëm, pasi mundësia e shpërndarjes së infeksioneve është më e madhe.
Ajvazi-Avdiu: Në mungesë të pediatritë shërbimet po e marrim te mjeku familjar
“E kam sjellë fëmijën për kontroll te mjeku, tash e disa kohë nuk ka pediatër në shtëpinë shëndetësore në Fushë-Kosovë, kështu që shërbimet po i kërkojmë te mjeku familjar për momentin më duhet një raport mbi gjendjen shëndetësore të fëmijës për regjistrim të fëmijës në kopsht, dhe këtë raport më thanë ta kërkoj te mjeku familjar…..Deri tani ka qenë shumë mirë e ndarë pjesa e pediatrit dhe nuk është dashur me u përzier me njerëz të tjerë këtu poshtë. Sigurisht që ne kemi frikën kur i sjellim fëmijët se marrin ndonjë infeksion tjetër, dhe sigurisht që personi adekuat për kontrollimin e fëmijës është pediatri dhe kishim pas dëshirë me pas pediatrin prapë“, u shpreh kjo nënë.
E tejet e shqetësuar për mungesë të mjekut pediatër në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë është shprehur Belkize Krasniqi.
Krasniqi: Shumë keq që nuk ka pediatër
“Moti nuk është, shumë keq që nuk ka pediatër në Fushë-Kosovë, nuk ka pediatër këto për momentin, ka pas më herët por për momentin nuk ka…Shumë keq më herët e vërejta që u kthyen disa prindër me fëmijë të vegjël pasi nuk ka pediatër. Shumë keq që nuk ka në Fushë-Kosovë“, u shpreh ajo.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Osman Maxhera tha se aktualisht kjo Qendër nuk ka pediatër pasi janë pensionuar, por theksoi se pacientët këto shërbime mund t’i marrin te mjeku familjar.
Sipas tij, shërbimet pediatrike janë shërbime që nuk parashihen të ofrohen në kujdesin parësor shëndetësor.
Maxhera: Pediatër aktualisht nuk kemi, por fëmijët shërbimet mund t’i marrin te mjeku familjar
“Aktualisht nuk ka pediatër në QKMF, pediatri i cili ka qenë, kanë qenë dy pediatër, njëri ka dal në pension më herët, kurse më 1 qershor i ka përfunduar kontrata e punës dhe ka shkuar në pension pediatri tjetër aktualisht jemi pa pediatër…..Pediatri në kujdesin parësor sipas udhëzimit administrativ nuk është i planifikuar, kanë qenë këta të punësuar deri në pensionim, ka pasur edhe alternativa tjera për komunat që nuk kanë maternitet apo spital regjional me iu mundësuar me vazhduar punën pediatri dhe gjinekologu. Prindërit mund t’i kontrollojnë te mjeku familjar, të cilët janë kompetent të licencuar për atë pjesë të punës, në rast nevoje mund të referohen në QKUK. Normalisht janë mësuar prindërit me shkuar drejt te pediatri, por tash ta shikojmë“, theksoi ai.
Kurse, zëdhënësi i komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli u shpreh se tashmë është hapur konkursi për pediatër dhe shpejt presin që ky shërbim mjekësor të ofrohet për banorët e kësaj komune.
Topalli: Për momentin e kemi të shpallur konkursin për pranimin e një pediatri
“Komuna është duke ndërmarrë të gjitha hapat dhe procedurat konform ligjeve. Për momentin e kemi të shpallur konkursin për pranimin e një pediatri dhe jemi në pritje të aplikantëve dhe sigurisht që pas përfundimit të kësaj do të zgjidhet edhe problemi i vendit të punës dhe do të vije deri tek një pediatër që do të merret me trajtimin e rasteve për qytetarët e Kosovës”, theksoi Topalli.
E Kujdesi Parësor Shëndetësor në Fushë-Kosovë tash e saj muaj është ballafaquar edhe mungesë të stafit mjekësor dhe infermieror.