Shtegu me gjatësi prej 3.9 kilometra në Brezovicë është i gatshëm për garën “Molika 2023”, e pesta në disiplinën malore të Kampionatit të sivjetmë të Kosovës në automobilizëm.
Garues vendorë dhe nga rajoni do ta sfidojnë edhe njëherë veten në disiplinën më atraktive dhe njëkohësisht synojnë plasman sa më të mirë, për të fituar pikët e radhës, duke marrë parasysh se fundi i kampionatit po afron.
Organizatori, në këtë rast Eurogoma RT, në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) tashmë i kanë bërë përgatitjet e duhura dhe presin që gara të ketë rrjedhën më të mirë të mundshme.
Paraqitja në garë bëhet të shtunën nga ora 09:00-10:30, ndërsa po nga ora 09:00-11:00 bëhet edhe verifikimi i dokumentacionit dhe kontrollimi teknik i veturave për të vazhduar më pas me procedurat tjera të zakonshme.
Në vitin e kaluar, fitues i “Molika 2022” ishte Gazmend Demolli, i cili pati kohë prej 01:49.428 dhe 01:50.265 minuta.
Ai synon që sivjet të arrijë rezultat edhe më të mirë, ashtu sikur edhe garuesit tjerë që në garë hyjnë me ambicie për t’u renditur sa më lart.