FSHF u përgjigjet akuzave

min lexim

Federata e Futbollit Shqiptar, ka reaguar për akuzat e fundit.

“Po i drejtohemi sot komunitetit të futbollit dhe opinionin pas letrës qesharake të shpërndarë nga Bashkia Tiranë në media për një hetim ndërkombëtar e galaktik ndaj Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në atë fletërrufe janë formuluar akuza delirante të denja për hetuesinë e kohës së diktaturës ku dhe drejtësia vepronte me urdhra politik. Kjo balonë tymuese e lëshuar ditën e sotme, një ditë para zgjedhjeve për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë, është një kërcënim për anëtarët tanë dhe procesin zgjedhor që do të zhvillohet ditën e nesërme. Ne duam të garantojmë kandidatët, anëtarët tanë, si edhe të gjithë pretendentët për kandidat se ofrojmë dhe garantojmë të gjitha kushtet për një garë të ndershme, të pastër dhe mundësinë për të zgjedhur të lirë nga ndikimi politik dhe kriminal.

Pas tenativave të vazhdueshme të dështuara për të intimiduar, shantazhuar dhe kërcënuar anëtarët tanë dhe pasi vrapuan të dalin në foto me viktimën që sapo e kishin kërcënuar duke dështuar publikisht, sot Bashkia Tiranës doli hapur në përfshirjen e saj në këtë proces zgjedhor që i takon ekskluzivisht vetëm komunitetit të futbollit. Nëse deri pak orë më parë sulmonte për investime të munguara në infrastrukturën futbollistike të kryeqytetit, pas diskretitimit me fakte publike sot kryetari komunës që ndihet Superman dhe Sherlok Holms, në delirin e pushtetit u shfaq si Kryeministër, Prokuror i Përgjithshëm, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, shef i Shërbimit Informativ Kombëtar, President i UEFA-s apo FIFA-s. Natyrshëm lind pyetja: nëse ka indicie, të dhëna, prova për kandidatët për garën në FSHF pse nuk i dërgon në organet ligjzbatuese por ndjek teknikën e shantazhit publik. Pse këto indicie, prova apo të dhëna ja ka fshehur drejtësisë duke kryer një vepër penale?

Bëhet e qartë se ky është një kërcënim i hapur për njerëzit e futbollit sepse provat depozitohen në organet ligjzbatuese dhe jo në media. Kjo ka për qëllim të vetëm krijimin e një klime tensioni në këtë garë. Ne nuk hyjmë në të tilla diskutime qesharake sepse ne jemi institucioni që kujdeset për futbollin shqiptar dhe jo për marrëdhëniet me OKB-në apo NASA-n që ka kontaktuar krye-komunari për ta bërë hetimin të duket galaktik.

Me cilin tagër Bashkia e Tiranës sillet si hetuesi e kohës së diktaturës ndërkohë që ajo ka për detyrë t’i shërbejë qytetarëve të këtij qyteti që po i betonizohet territori dhe po i zhduken fushat ku duhet të luajnë fëmijët?

Autogoli mediatik i Bashkisë së Tiranës vërteton ndërhyrjen e dënueshme të saj për të prishur zgjedhjet, të denoncuar nga federata.

Ne jemi të  sigurt se komuniteti i futbollit në vend do ta konsiderojë në pozicion “jashtë loje” sulmin e Bashkisë së Tiranës ndaj lirisë së zgjedhjeve  dhe se nuk do të intimidohet fare nga abuzimet mediatike të Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Përkundrazi, qetësisht do të shkojë në votime duke qenë i ndërgjegjshëm për përgjegjësinë të panegociueshme me asgjë”, reagon FSHF.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Gjendja emocionale, Beatrix Ramosaj po refuzon edhe miqtë?

Story i radhës

Deputetja e PD-së zbulon strategjinë që po përgatit Sali Berisha

Të fundit nga