Sektori i Performancës në FSHF ka zhvilluar një takim në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës me trajnerët e akademive të kësaj me të cilët u diskutua gjerësisht për zhvillimet e fundit rreth përgatitjes fizike në futboll.
Ky aktivitet u organizua dhe udhëhoq nga përfaqësuesit e këtij sektori Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi, të cilët kanë trajtuar aspektet teorike të përgatitjes fizike për të bërë një përditësim të njohurive të trajnerëve atletikë që punojnë me klubet e futbollit jashtë vendit.
Në pjesën e dytë të aktivitetit, trajnerëve pjesëmarrës u janë shpjeguar ushtrimet praktike të bazuara në specifikat e futbollit. Edhe ky takim ishte në vazhdën e aktiviteteve, kurseve dhe trajnimeve që Federata Shqiptare e Futbollit organizon prej kohësh për të përmirësuar nivelin e përgatitjes atletike dhe trajnerëve, sidomos atyre që punojnë me grup-mosha në futbollin shqiptar, duke specializuar profesionistët që punojnë me ekipe sportive dhe duke ecur me hapin e zhvillimeve më të fundit.
Këto takime do të vazhdojnë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë për të rritur cilësinë e stafeve teknike të ekipeve të futbollit dhe për t’i ndërgjegjësuar gjithnjë e më shumë për vlerat që ka përgatitja e duhur atletike në sport.