Një burrë ra i vdekur në Nice, një grua në Rennes. Brenda 24 orëve, dy persona mbetën të vrarë në Francë nga zjarri i policisë, pasi nuk pranuan t’i binden urdhrave të efektivëve, në një rast gjatë kontrollit të qarkullimit rrugor, tjetri në një operacion për të shkatërruar një rrjet të trafikut të drogës.
Në Nice ka humbur jetën sot drejtuesi i një makine të vjedhur, një shtetas tunizian. Sipas policisë ai është pikasur nga efektivët e qarkullimit rrugor teksa po bënte “zig-zage të rrezikshme” në një autostradë.
Oficerët kanë vënë në ndjekje mjetin, i cili kur ka rënë në trafik ka bërë një kthesë 180 gradë, ka ardhur ballë për ballë me makinën e patrullës dhe është përplasur me të “në mënyrë të përsëritur”. Dy policë kanë mbetur të plagosur lehtë. Një oficer qëlloi një herë dhe shoferi u vra në vend.
Pak orë më parë, një grua 22-vjeçare u vra dhe një 26-vjeçar u plagos në Rennes, në veriperëndim të Francës. Rreth orës 1 të mëngjesit me orën lokale, një oficer policie qëlloi një herë me revolen e tij të shërbimit ndërsa kolegët kontrolluan një makinë si pjesë e një hetimi për drogën, tha prokurori i Rennes, Philippe Astrick.
Drejtuesi i makinës, i cili ishte i njohur për autoritetet për trafik droge, është goditur në krah. Plumbi ra rikoshet dhe goditi pasagjerin e tij, i cili mbeti i vrarë.