Fil Foden ka zgjidhur të gjitha dilemat për të ardhmen e tij dhe ka firmosur rinovimin me klubin e Manchester Cityt, duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një flamur për “qytetarët”.
Djaloshi i cili ka dalë nga akademia e Sitit, kishte kontratën ekzistuese deri në vitin 2024.
Por klubi dhe lojtari anglez kanë zyrtarizuar rinovimin që i mbyll dyert të gjithë pretendentëve dhe bën Foden të paprekshëm duke llogaritur se tashmë marrëveshja e re përfundon në qershor të viti 2027.
Mesfushori ofensiv ka luajtur deri tani 182 ndeshje duke shënuar 52 gola dhe duke fituar 11 tituj me këtë klub, meritë padyshim e Pep Guardiolës i cili e transferoi në skuadrën e parë dhe i dha besim në fazën ofensive.
“Është e vështirë të shpreh me fjalë lumturinë time për firmën, është një ëndërr që bëhet realitet, kam qenë tifoz me Sitin gjithë jetën. Jam stërvitur këtu për shumë vite, kam qenë mbledhës topash në stadium. E dua shumë këtë klub dhe të di që do të jem pjesë e tij deri në vitin 2027 është e pabesueshme”, ishin fjalët e Foden.