Cdo ditë në mjediset e reja të Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese paraqiten 15-20 fëmijë të grup-moshës 0-18 vjeç të cilët referojnë probleme të ndryshme të shëndetit mendor. Në një intervistë për gazetën zvicerane në shqip “Le Canton27.ch” drejtoresha e Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë, Florinda Dobi nxjerr në pah se incidenca e problemeve të shëndetit mendor tek fëmijët gjatë pandemisë së covid-19 është rritur.
Me rikonstruksioni i Qendrës Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë të realizua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për herë të parë është përfshirë dhënia e shërbimit edhe për adoleshentet. Aktualisht ky institucion unik në llojin e tij në Shqipëri, ofron shërbim me shtretër dhe ambulator për fëmijët e moshës 0 – 18 vjeç në nivel kombëtar.
Qendra ofron shërbim diagnostikues, trajtues dhe rehabilitues për fëmijët me probleme të neurozhvillimit si Autizmi, Sindroma Down, Paraliza Cerebrale, etj. Në muaj janë rreth 50 fëmijë deri në moshën 6 vjeç nga e gjithë Shqipëria të shoqëruar nga nënat e tyre me frekuentim ciklik që shërbimin në qendër e marrin si pacientë të shtruar. Gjithashtu ofrohet shërbim edhe për 70-100 fëmijë që marrin shërbim ambulator.
Si po funksion puna me rikthimin në mjediset e reja?
Florinda Dobi: Qendra është rikonceptuar tërësisht në shërbimet që ofron si e vetmja qendër kombëtare me mjedise të ristrukturuara e përshtatura mirë për fëmijët e të gjitha grupmoshave, ku të gjitha shërbimet janë tërësisht falas e ku po futen koncepte të reja diagnostikimi dhe trajtimi, si psh terapia ABA për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe po punohet për protokollet e trajtimit, të cilat do të vlejnë jo vetem për ne por dhe gjithë pediatrit e konsultoret për detektimin e hershëm të problemeve të shendetit mendor. Në kete proces kemi patur vëmendjen, nxitjen, mbështetjen e Ministres së Shëndetësisë, si asnjëherë më parë. Me hyrjen në mjediset e reja puna po vazhdon me kapacitet të plotë. Kemi shtruar 25 fëmijë me 25 nëna dhe në 2 javët e ardhëshme presim 25 fëmjë të tjerë të shoqëruar nga nënat, për të vijuar procesin terapeutik dhe rehabilitues në rrugë spitalore. Po ashtu në rrugë ambulatore kemi 50 fëmijë që po I ndjekim me terapi edukative dhe rehabilituese për vështirësitë që paraqesin si pasojë e çrregullimit që manifestojnë. Nga ana tjetër ky proces po vijon me vlerësimin dhe diagnostikimin e rasteve të reja që paraqiten për herë të parë .
Si kanë ardhur rastet e reja në këto vitet e fundit?
Florinda Dobi: Nuk bëjmë dot përgjithësime në lidhje me procesin e ardhjes së rasteve të reja në vitet e fundit, pikërisht për shkaqe që lidhen me pandeminë dhe me tërmetin. Përgjithësisht rastet e reja vijnë pranë institucionit tonë pas rekomandimit nga mjeku pediatër ose mjeku i familjes. Këtu kryhet fillimisht proçesi i vlerësimit nga mjeku peditatër, psikiatër apo neuro-pediatër në bazë të nevojës dhe pasohet me vlerësimet e detajuara në ekip sipas problematikës që fëmija manifeston. Në përfundim të këtij procesi bëhet diskutimi i rasteve dhe përcaktohet diagnoza dhe strategjia e trajtimit. Jepen direktivat përkatëse për ndjekjen brenda institucionit tonë ose pranë qendrave të tjera të ngjashme me tonat.
Si ka ndikuar pandemia e covid- 19 tek shëndeti mendor i fëmijëve?
Florinda Dobi: Le të themi se pandemia e covid -19 ka ndikuar në shëndetin mendor të fëmijëve sepse ka kontribuar direkt tek shkaqet të cilat e shfaqin ose e mbajnë gjallë çrregullimin përkatës. Izolimi, niveli i lartë i stresit, i ankthit, problemet socio-ekonomike janë nga ato faktorë që nuk japin një çrregullim mendor por kontribuojnë tek ata persona të cilët janë të predispozuar për të manifestuar probleme të shëndetit mendor, ose tek rastet e diagnostikuara në të cilët kanë qenë faktorë që I kanë mbajtur gjallë ose ka ndikuar në rëndesën e çrregullimit. Por në thelb pandemia nuk ka ndikuar vetëm tek çrregullimet që prekin shëndetin mendor të fëmijëve dhe të rinjve. Ne evidentojmë që pandemia ka ndikuar dhe tek prindërit. Ne konstatojmë probleme të lidhura me ankthin depresionin probleme të gjumit dhe tek prindërit e fëmijeve që frekuentojnë shërbimet tona.
A kemi një shifër sa konsulta bëni gjatë një dite dhe cili është çrregullimi më I shpeshtë?
Florinda Dobi: Nuk mund të flas për shifra pasi jemi në fazën që po i evidentojmë ato, ndaj mund të flas për trendin. Trendi i rasteve të reja ka ardhur në rritje. Duke qenë se situatat e tërmetit dhe covid-it kanë ndikuar në ardhjen ose në mosardhjen e rasteve të reja ne po i shqyrtojmë për të kuptuar çfarë ka ndodhur me sëmundjen apo shëndetin mendor në tërësi. Ajo që në kosntatojmë është se me zbutjen e përhapjes së covid dhe lirimin e masave ka rritje të numrit të rasteve që ne shohim në përditshmërinë tonë. Të paktën këto dy javë kemi një rritje që varion nga 15 deri në 20 raste të reja në ditë . Janë raste që vijnë për herë të parë në qendër. Ne po i shqyrtojmë si do jetë dinamika e këtyre rasteve për të kuptuar trendin, nëse lidhet me probleme të pas-covid apo faktorë të tjerë që kontribuojnë. Në lidhje me patologjitë , më të shpeshta pranë nesh, janë çrregullimet e spektrit të autizmit. Eshtë nga ato çrregullime që ka impakt më të madh në jetën e përditëshme dhe kosto më të larta. Krahas çrregullimeve të spektrit të autizmit ne po shikojmë kohët e fundit që po vijnë fëmijë që kërkojnë vëmedje për probleme të tjera, duke përfshirë gjithë spektrin e çrregullimeve mendore që prekin e fëmijët dhe të rinjt. Ato variojnë nga çrregullime të spektri autik, prapambetja mendore deri tek ato më minore, siç janë çrregullimet e gjuhës, komunikimit, çrregullimet e të nxënit, të ankthit , të përshtatjes dhe një sër patologjish të tjera.
A jane këto patologji që kuptohen lehtë nga prinderit?
Florinda Dobi: Këshilla jonë e përgjithëshme është që, nëse prindi shikon ndryshime në sjellje, në interesa të fëmijës që nuk janë episodike por zgjasin në kohë, vështirësi që lidhen me procesin e të nxënit duhet të drejtohen në institucionet përkatëse për ndihmë. Ata duhet të shkojnë tek mjeku I familjes apo pediaatri I fëmijës i cili arrin të identifikojë vështirësinë dhe ta drejtoj për keto problematika tek mjeku specialist