Sot Gjermania do të luajë ndeshjen e parë për 2022-shin dhe kjo, kundër Izraelit. Trajneri i kombëtares, Hansi Flick, foli në konferencën për shtyp për përgatitjet e “Pancerave”.
Është viti i Botërorit dhe për 56- vjeçarin është shumë e rëndësishme që skuadra e tij të tregojë një lojë të mirë të shoqëruar me rezultat për t’u treguar tifozëve se Gjermania është skuadër pretendente për ta fituar turneun që do të luhet në fund të vitit në Katar.
Sa entuziast jeni për këto përgatitje në prag të Botërorit?
“Nuk është gjithmonë e lehtë të përqendrohesh te futbolli këto ditë. Viti i Kupës së Botës fillon për ne kundër Izraelit, por ndeshjet kundër izraelitëve janë gjithmonë diçka e veçantë. Ne duam të kontrollojmë nëse kemi bërë gjithçka siç duhet ose nëse ende duhet të bëjmë rregullime.
Izraeli ka treguar se është rritur shumë, edhe në aspektin e të rinjve. Mounas Dabur është një lojtar i mirë dhe gjithmonë i rrezikshëm. Uroj që skuadra izraelite të luajë lirshëm dhe të dëshirojë të luajë futboll të bukur”, tha Flick.