Flet për “Bota sot” Daniel Serwer – paralajmëron rrezik serioz për Kosovën, nëse Rusia ndan me sukses Ukrainën

April 23, 2022
min lexim

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka folur për shqetësimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se konflikti në Ukrainë, do të prekë edhe Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Serwer ka thënë se rrezik është serioz, pasi nëse Rusia ndan më sukses Ukrainën, ajo do të inkurajojë Serbinë të bëjë të njëjtën gjë në Kosovë.

Profesori, kërkesën e Kosovës për anëtarësimin e saj në NATO, e sheh si realiste, mirëpo në planin afatgjatë.

I pyetur nëse Kosova duhet të pezullojë dialogun me Serbinë, e cila nuk ka sanksionuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ekpserti ka theksuar se dialogu duhet të vazhdojë, edhe pse sheh pak shpresë se do të prodhojë shumë në kushtet aktuale.

Sipas tij, të dyja vendet nuk janë ende gati për marrëveshjen përfundimtare.

Daniel Serwer shpreson se lufta në Ukrainë do të përfundojë me rënien e presidentit Vladimir Putin në Moskë, megjithëse sipas tij, nuk ka ende shenja të mjaftueshme rebelimi ndaj tij.

“Presidenti Biden, synon një humbje të plotë të Rusisë në Ukrainë, me kusht që të jetë ajo për të cilën ukrainasit janë të gatshëm të luftojnë”, ka deklaruar për gazetën ai.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Z. Serwer, a besoni se me ardhjen e Christopher Hill si ambasador i SHBA-së në Serbi, do të përshpejtohet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Mund të shpresoj, por duhet të presim dhe të shohim. Nuk ka ende shenja se Serbia dhe Kosova janë gati për një marrëveshje “përfundimtare”.

“Bota sot”: Duke parë agresionin rus në Ukrainë, Kosova po dëshiron të anëtarësohet në BE dhe NATO, sa realiste janë këto kërkesa?

Daniel Serwer: Ato janë realiste në planin afatgjatë. Strategjia e duhur është të zbatohen kërkesat e anëtarësimit, pastaj të presim hapjen e dritares politike.

“Bota sot”: Si i keni parë zhvillimet e deritanishme të luftës në Ukrainë?

Daniel Serwer: Putini po humbet në aspektin strategjik edhe kur forcat ruse përparojnë në terren. Ukrainasit nuk do të pranojnë sundimin apo hegjemoninë ruse dhe NATO është forcuar dhe bashkuar në përgjigje të pushtimit. Rusia do të mbetet nën sanksione për një kohë të gjatë dhe do të mungojnë burimet e nevojshme për të rindërtuar në Ukrainë.

“Bota sot”: Si e përkufizoni reagimin e NATO-s dhe Perëndimit ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe a mendoni se po bëhet mjaftueshëm në këtë drejtim për të ndihmuar popullin ukrainas?

Daniel Serwer: NATO dhe Perëndimi kanë reaguar mirë. Ata duhet të bëjnë më shumë, por vullneti duket i fortë.

“Bota sot”: Cili do të jetë skenari i fundit të luftës së Vladimir Putinit në Ukrainë?

Daniel Serwer: Shpresoj se lufta në Ukrainë do të përfundojë me rënien e Putinit në Moskë.

“Bota sot”: Presidenti i SHBA Joe Biden, thotë se Putini duhet të largohet. Sa afër kolapsit është në fakt lideri rus?

Daniel Serwer: Nuk do ta dimë deri të nesërmen. Nuk ka ende asnjë shenjë të rebelimit të mjaftueshëm në shërbimet e sigurisë, oligarkët apo popullin rus.

“Bota sot”: Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, është i shqetësuar se konflikti në Ukrainë do të prekë edhe Kosovën. Sa ekziston në të vërtetë një rrezik i tillë?

Daniel Serwer: Rreziku është serioz. Nëse Rusia ka sukses në ndarjen e Ukrainës, do ta inkurajojë Serbinë që të ndjekë edhe një herë ndarjen e Kosovës.

“Bota sot”: Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës, si e vlerësoni qëndrimin e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë në këtë rast? A duhet të sanksionohet Serbia, sepse nuk u bë aleate e Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe diplomacia e saj vazhdon të bashkëpunojë hapur me Rusinë?

Daniel Serwer: Serbia ka zgjedhur të mbajë anën e Rusisë. Amerikanët duhet ta kuptojnë këtë dhe të bëjnë çfarë të munden si përgjigje.

“Bota sot”: Një tjetër ekspert i krizës, z. Bugajski, ka bërë thirrje që bisedimet me Serbinë të pezullohen, sepse ajo është palë e Rusisë dhe ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Kosova ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka miratuar një rezolutë në Kuvend. Si e komentoni këtë?

Daniel Serwer: Mendoj se Kosova duhet të vazhdojë të bisedojë me Serbinë, por më së shumti për të shmangur fajësimin për dështimin e dialogut. Ka pak shpresë se do të prodhojë shumë në kushtet aktuale.

“Bota sot”: Nëse arrihet një marrëveshje Ukrainë-Rusi, e cila gjithsesi favorizon interesat ruse në Ukrainë, siç është ngecja e Krimesë nën Rusinë, njohja e një statusi special të Donabasit (ose provincave Luhan dhe Donetsk), a mund të komplikojë pozicionin e Kosovës në bisedimet, dhe të cilat dukeshin më të favorshme pasi lufta e përgjithshme vazhdon në Ukrainë, për shkak të qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë ndaj luftës atje?

Daniel Serwer: Le të presim dhe të shohim se çfarë do të bien dakord ukrainasit. Mendimi im është se Presidenti Biden, synon një humbje të plotë të Rusisë në Ukrainë, me kusht që të jetë ajo për të cilën ukrainasit janë të gatshëm të luftojnë.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ndikimi i luftës tek shkëmbimet e fermerëve shqiptarë me Ukrainën

Story i radhës

Nesër, në Gjilan, mbahet gara e parë e kartingut për këtë vit

Të fundit nga

Barcelona i jep ultimatum de Jong-ut

Zhgënjimi te Barcelona në lidhje me Frenkie de Jong është aktualisht mjaft i lartë. Kjo kryesisht për faktin se mesfushori në fakt shumë i talentuar nuk i arrin kufijtë e performancës, megjithëse
ShkoLartë