Mbrëmjen që lamë pas, u mbajt nata e tretë dhe e fundit e “Sunny Hill”, i organizuar për herë të parë në Tiranë.
E gjatë mbrëmjes një imazh i shfaqur në skenën e festivalit ka befasuar gjithë shqiptarët.
Bëhet fjalë për flamurin kombëtar me yllin e komunizmit mbi të.
Kjo paraqitje u pa si ofendim për shumë bashkëkombës dhe familje që kanë vuajtur në vitet e vështira të asaj kohe.
Flamuri kombëtar me yllin e komunizmit bëri që në Twitter të ketë një deklaratë edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, mes shumë reagimesh të tjera.
Veliaj si mbështetës i këtij festivali, me projektin e sivjetmë “Tirana kryeqytet evropian i rinisë”, ka shkruar në Twitter se imazhi i tillë është satirë e një kënge të interpretuar nga grupi Asgjë Sikur Dielli.
“Nuk luftohet komunizmi me metoda komuniste! Kënga është një satirë ndaj regjimit! Alban Nimani – dhëndër në Tiranë në një nga familjet më të përndjekura – e ka prodhuar para tetë viteve! Uroj të luftoni me të njëjtin zell sekretarin e PPSH në krye të PD dhe sigurimin aleat”, shkroi kryetari i Tiranës në Twitter.
Ndryshe, në “Sunny Hill” mungoi organizatorja e festivalit, Dua Lipa.