Sot edhe zyrtarisht filloi hapja e njërit prej dy tuneleve në rrugën e shpejtë Gradsko – Prilep i cili ndërtohet me tempo të përshpejtuar. Tuneli është prej 139 metrash dhe është punuar në shtatë muajt e kaluar. Periudhën e ardhshme në mënyrë intensive do të punohet në hapjen e tunelit tjetër në gjatësi prej 159 metra.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, së bashku me zëvendësministrin Bekim Rexhepi, drejtorin e NP për Rrugë shtetërore Ejup Rustemi dhe me zëvendësdrejtorin e ndërmarrjes, Bllagojçe Tërpevski, e shënuan fillimin e hapjes së tunelit. Sipas Boçvarskit, tuneli ndodhet në pjesën më të vështirë të trasesë dhe është ndërhyrja më e madhe.
Vlera e ndërtimit të aksit të dytë nga Drenova në Farish është më shumë se 33 milionë euro, ndërsa vetëm për tunelin janë investuar 5,7 milionë euro.
Për drejtorin e NP për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi aksi i parë nga Gradsko në Drenovë është duke u ndërtuar me tempo të shpejtë dhe pritet afatet të respektohen. Shumë shpejtë fillojnë aktivitetet ndërtimore edhe në tubin e djathtë të tunelit.
“Presim që afatet të respektohen pasi zbatuesi është mobilizuar komplet dhe i ka të gjitha resurset e nevojshme në kuadër, fuqinë punëtore, mekanizimin dhe pajisjen. Ky do të jetë tuneli i 14-të në rrugët në shtet. Territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut 85,5 për qind është malor dhe është vendi i shtatë në botë në listën e top 10 vendeve më malore sipas përqindjes nga territori i përgjithshëm. Ndërsa të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se sa është e vështirë të ndërtohet në një territor malor. Pikërisht e tillë është edhe kjo pjesë dhe në vetëm 10 kilometra distancë në këtë rrip ndërtohen tunele, ura, nënkalime, udhëkryq, viadukt dhe objekte të tjera. Për këto 10.2 kilometra i ndamë 33,3 milionë euro mjete të siguruara nga BERZH-i”, deklaroi Rustemi.