Asnjë shtet nuk bën rishikim të dytë të buxhetit, i cili është në gjendje katastrofale dhe në të cilin mungojnë rreth 900 milionë euro, ndërsa në Fondin Pensional mungon edhe një miliard euro. Këtë e theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ndërsa këto ditë në Kuvend po zhvillohet debati për rishikimin e arkës shtetërore. Sipas tij, kjo tregon menaxhimin e dobët të financave nga ana e Qeverisë, e cila, siç theksoi, po mbush vrima, por nuk ka asgjë konkrete për t’i ndihmuar qytetarët.
“Stabiliteti i buxhetit është seriozisht i rrezikuar, si dhe gjithnjë e më shumë po shtrohen pyetjet se nga do të sigurohen dhe prej cilave burime, në periudhën e ardhshme, nëse para Vitit të Ri apo në fillim të vitit të ardhshëm, do të paguhen pagat dhe pensionet. Nuk ka shtet që tani bën rishikim të dytë të buxhetit. Por, çfarë është ky akt, ky veprim i rishikimit të buxhetit, kur nuk sjell standard më të mirë për qytetarët, nuk ka para për paga më të larta, nuk ka stabilizim fiskal”, tha Filipçe
Kryeministri Mickoski, nga ana tjetër, thotë se Qeveria ndjek një politikë pro biznesit dhe pro ekonomisë dhe se, në rajon, jemi shteti me shkallën më të lartë të rritjes së PBB-së dhe inflacionin më të ulët.
“Nëse në të kaluarën këta që sot janë opozitë, ndërsa atëherë ishin Qeveri, na bindnin se shkalla e inflacionit në Maqedoni ishte dyfish më e lartë se mesatarja evropiane, për shkak se ishte e importuar, sot shohim se kemi një shkallë inflacioni 25 për qind më të ulët se mesatarja evropiane, dhe kjo është rezultat i politikave të Qeverisë”, deklaroi Mickoski.
Rishikimi i buxhetit është në shqyrtim para deputetëve, me shkurtime prej rreth 86 milionë eurosh si në anën e të ardhurave, ashtu edhe në atë të shpenzimeve. Deficiti mbetet 4,1 për qind e BPV-së, rritja e BPV-së është projektuar në 3,5 për qind, ndërsa inflacioni në 3,8 për qind.
Burimi:TV21


