Kombëtarja U21 në hendboll mbetet e vetmja Kombëtare e Kosovës që ka garuar deri më tani në Kampionat Botëror.
Ajo garoi në Botërorin e juniorëve në Spanjë, që u mbajt në vitin 2019. Në debutim, Kosova U21 mori edhe një fitore e një barazim.
Pjesëmarrjen historike në Botëror e kemi siguruar përmes garës IHF Trophy, që sërish organizohet në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë.
Gjatë muajit tetor në kryeqendrën tonë organizohet IHF Trophy për Evropë për grupmoshën U18 dhe U20. Fitimi i të drejtës të organizimit të kësaj gare është e arritur për FHK-në.
Fituesit e garës kontinentale sigurojnë pjesëmarrjen në nivelin interkontinental, që zhvillohet në pranverë të vitit të ardhshëm. Dhe fituesit e fazës interkontinentale sigurojnë pjesëmarrjen në Botëror.
Këtë rrugë e kemi ndjekur ne para katër vitesh. Fillimisht fituam fazën kontinentale me U20 e U18 në Prishtinë, në tetor të vitit 2018.
Më pas në pranverë të vitit 2019, prapë në Prishtinë, fituam fazën interkontinentale me U21 (që ishte gjenerata e njëjtë) dhe u renditëm në vendin e tretë me Kombëtaren U19. Atëbotë gara ishte kualifikuese për Botëror vetëm me grupmoshën U21, shkruan në faqen e FHK-së.