Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” do të vazhdojë të luftojë kyçjet ilegale në rrjet në mënyrë që t’i furnizojë me ujë të pijshëm rreth 1 milionë banorë të shtatë komunave. Kështu ka deklaruar kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie, Arsim Fetahu në një intervistë në magazinën “Info Plus” në RTK.
Ditët e fundit ekipet e kësaj kompanie janë në aksion për shkyçjet e lidhjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit si dhe të konsumatorëve që janë borxhlinj. “Aksioni është vazhdimësi, mirëpo me ardhjen e stafit të ri janë përforcuar edhe ekipet, sidomos në pjesën e inspektoratit dhe të leximit, për arsye se në të kaluarën ka pasur mungesë të stafit. Tani ekipet që janë në terren për kyçjet ilegale janë më të shumta. Ky aksion ka ardhur si rezultat i keqpërdorimit të ujit, sidomos te ata persona që e keqpërdorin ujin jashtëligjshëm, duke bërë kyçje ilegale. Vlen të ceket se vetëm në fundjavën e kaluar ekipet tona gjatë 24 orëve kanë arritur që në lagjen ‘Veternik’ të bëjnë 14 shkyçje të lidhjeve ilegale”, tha Fetahu.
Ai tha se aksioni do të vazhdojë edhe në lagjet e tjera të Prishtinës, por gjithashtu edhe në qytete tjera, në të cilat kjo kompani bën furnizimin me ujë të pijshëm.
“Këto ditë kërkesat për ujë të pijshëm për shkak të temperaturave të larta janë jashtëzakonisht të mëdha. Po mundohemi maksimalisht që me burimet teknike dhe njerëzore të bëjmë të pamundurën për t’i furnizuar konsumatorët tanë. Në shtatë komuna i furnizojmë me ujë pothuajse një milion banorë, që është një numër jashtëzakonisht i lartë. Për këtë arsye jemi detyruar të ndërmarrim këtë aksion duke pasur parasysh që për shkak të keqpërdorimeve të disa personave të pandërgjegjshëm po vjen deri te reduktimet e ujit te konsumatorët të cilët i paguajnë me rregull faturat ndaj ujësjellësit”, shtoi Fetahu, transmeton RTKlive.
Ai bëri të ditur se shkyçjet nuk po ndodhin vetëm tek konsumatorët ilegalë, por edhe te konsumatorët që janë borxhlinj të kësaj kompanie.
“Sot kemi pasur një aksion në komunën e Graçanicës ku janë realizuar tetë shkyçje të konsumatorëve borxhlinj, të cilët kanë pasur një vlerë jashtëzakonisht të lartë. Disa prej tyre kanë rezistuar për të mos u shkyçur, por ekipet tona me asistencën e Policisë kanë arritur që ta realizojnë shkyçjen”, nënvizoi Fetahu.
Tutje kryeshefi i KRU “Prishtina” ka thënë se ekipet e kësaj kompanie janë duke punuar edhe në përmirësimin e furnizimit me ujë në disa pjesë.
“Sot është punuar në Lipjan në vendosjen e gypit i cili në fillim të javës do të futet në funksion dhe do të bëjë përmirësimin e furnizimit me ujë të rregullt në atë pjesë. Edhe vendosja e gypit për në Podujevë pritet të realizohet shumë shpejtë. Ndërsa sa i përket investimeve kapitale, vlen të ceket projekti që ka të bëjë me dy lagje në Fushë Kosovë dhe në pjesën e fshatrave Bardhi i Madh dhe në Sllatinë”, theksoi Fetahu.