​Festa e abetares mbledh në Pejë nxënësit nga të gjitha viset shqiptare

May 17, 2022
min lexim

Komuna e Pejës sot ka qenë nikoqire e nxënësve të klasave të para nga të gjitha trojet shqiptare. Me mbështetje të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është organizuar festa tradicionale “Festa e Abetares”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci njoftoi se nga shtatori fëmijët do të kenë në duar abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri e cila do të jetë unike dhe cilësore. 

Sipas saj, festa e abetares është madhështore sepse këtë e festë e shoqëron entuziazmi i fëmijëve të cilët përfundojnë mësimin e 36 shkronjave. 

Abetarja, sipas saj, është një libër që i kujton rilindasit dhe sakrificën e tyre, e cila është shndërruar në armë kundër analfabetizmit. 

Nagavci: Po kujdesemi që fëmijëve tonë t’iu ofrojmë arsim sa më cilësor

“Ne sot po kujdesemi që tu ofrojmë fëmijëve tanë arsim sa më cilësor në mënyrë që ata të ecin përkrah moshatarëve të tyre në cilindo vend tjetër të botës. Në këtë drejtim tekstet shkollore janë shumë të rëndësishme andaj edhe ne në MASHT bashkë me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë jemi kujdesur që të ofrojmë abetare sa më cilësore. Nga shtatori fëmijët shqiptarë do të kenë në duar abetaren e re të përbashkët Kosovë-Shqipëri, e cila do të jetë unike dhe cilësore. Pra, po kujdesemi që takimi i parë i fëmijëve me librin shkollor të jetë i këndshëm sepse duam që gjeneratat tona të arsimohen për veten e tyre, shoqërinë dhe për vendet tona”, tha Nagavci. 

Kurse, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri uroi të gjithë fatosat për festën e abetares.

Muhaxheri: Festa e abetares duhet te jetë edhe festa jonë me e madhe 

“Më të dashurit nxënës, iu uroj festën e abetares dhe argëtim të këndshëm sot në komunën e Pejës. Festa e abetares është festa juaj më e madhe por ishte dashtë me qenë edhe festa jonë me e madhe”, deklaroi Muhaxheri. 

Ndërsa, drejtori për arsim në Bashkinë e Lezhës, Hasan Muqa u shpreh se këta fëmijë janë liderët e të ardhmes të cilët mund të bëjnë realitet ëndrrën shqiptare për bashkim kombëtar. 

Muqa: Nxënësit tanë janë liderët e së ardhmes, ata që do ta bëjnë bashkë kombin tonë të mrekullueshëm

“Ju për kolegët e mi mësues nuk jeni vetëm nxënës, ju jeni liderët e së ardhmes që do të bëjnë realitet ëndrrën e të parëve tanë për ta bërë një ditë bashkë kombin tonë të mrekullueshëm. Unë dua të përforcoj një nismë të ndërmarrë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, që shqiptarët të kenë një abetare të përbashkët, që të jetë një nga librat më cilësor, një nga librat më të mrekullueshëm dhe një nga librat më kombëtar që kanë pasur fëmijët kudo që janë dhe flasin shqip”, u shpreh Muqa. 

Kurse, përfaqësuesja e Komunës së Qairit nga Maqedonia e Veriut, Luljeta Shabani-Qerimi tha se festa e abetares luan rol në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. 

Shabani-Qerimi: Është nder të shënojmë festën e abetares së bashku 

“Është nder të jemi me ju në këtë festë, festën e abetares e cila ka rol të rëndësishëm në edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj. Ne vijmë nga komuna e Qairit nga Maqedonia e Veriut, në këtë komunë ka nëntë shkolla fillore, dhe ne sot prezantohemi në këtë event me shkollën fillore ‘Liria’, e cila është një prej shkollave më të vjetra në komunën tonë”, u shpreh ajo.

Në këtë festë kishte të pranishëm edhe nxënës nga Lugina e Preshevës. 

Nënkryetari i Preshevës, Emin Shaqiri i cili tha se kufijtë administrativ që po ndajnë trojet shqiptare nuk janë të rëndësishëm karshi ndjenjave të sotme. 

“Kjo festë, kjo abetare dhe këto shkronja sot po e vërtetojnë vetëm një gjë, unë nuk jam rritur sikur këta jam rritur me një frymë ndryshe në Luginën e Preshevës por sot do e them një gjë krejtësisht tjetër, kufijtë administrativ që fatkeqësisht po na ndajnë nuk qenkan aspak të rëndësishëm karshi ndjenjave dhe atmosferës që sot po e shoh këtu… Ju lutem mos e harroni Luginën e Preshevës sepse ajo tokë ndjenjë dhe mëson, punoj shqip po me këtë abetare”, tha ai. 

Shumë të lumtur dhe të gëzuar ishin nxënësit të cilët po festonin sot përfundimin e mësimit të 36 shkronjave shqipe. 

Nga Kukësi në Pejë sot kishin ardhur edhe nxënësit e klasës së parë të shkollës fillore “Lidhja e Prizrenit”. 

Donjeta Starka nxënëse në klasën e parë në këtë shkollë u shpreh shumë e lumtur qe sot bashkë me bashkëmoshatarët e saj po e kremtojnë festën e abetares. 

Starka: Jam shumë e lumtur që po e kremtojmë së bashku festën e abetares

“Jam shumë e lumtur që po e festojmë festën e abetares… shumë mirë”, tha ajo. 

Flora Çeku nga shkolla fillore e mesme e ulët “Asdreni” në Pejë shprehu emocionet e saj që sot po shënojnë përfundimin e klasës së parë. 

Çeku: Jam e lumtur që i kemi mësuar të gjitha shkronjat e alfabetit tonë

“Unë jam shumë e lumtur që sot i kemi mësuar 36 shkronjat dhe e kemi festën e abetares”, tha ajo. 

Në manifestimin mbarëkombëtar “Festa e Abetares”, morën pjesë nxënës të klasave të para nga shumë komuna të trojeve shqiptare përfshire ata nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës e komunat e Kosovës si Ferizaji, Gjilani etj.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Berisha dhe Elezi vijojnë takimet me elektoratin, edhe 5 ditë nga dita e votimeve/ Ja ku do jenë sot rivalët

Story i radhës

Охриѓани освоија СУПЕР МИЛИОНЕР ЏЕКПОТ вреден 10.764.621,00

Të fundit nga

ShkoLartë