Ferizaj ka shqetësimin më të madh në vendin tonë, nuk ka stadium dhe aty ku i zhvillon stërvitjet dhe ndeshjet është pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Kryetari i klubit, Lulzim Abazi dhe bordi i këtij kolektivit, i drejtohet institucioneve sportive në Kosovë.
FC Ferizaj është në hall të madh, i drejtohet MKRS-së, KOK-ut, FFK-së, UEFA-së dhe FIFA-së
“1. Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit;
2. Komitetit Olimpik të Kosovës
3. Federatës së Futbollit të Kosovës;
4. UEFA dhe FIFA
Klubi i Futbollit Ferizaj, ka disa kohë që ka shprehur publikisht, kërkesën e tij, nevojën e domosdoshme për kushte pune e zhvillimi të sportit të futbollit në Ferizaj. Duke qenë kështu, është e domodoshme të krijohet mundësia e ndërtimit të Stadiumit të Qytetit në Ferizaj.
Ferizaj, një qendër urbane me zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, popullatë të moshës së re si gjithë vendi, mundësi të shumta zhvillimore e mbi të gjitha me një traditë sportive, është e turpshme dhe njëkohësisht e papranueshme të mos ketë Stadiumin Futbollistik të Qytetit.
Për fat të mirë, ky projekt ekziston me kodin e tij buxhetor në Buxhetin e Republikës së Kosovës, por për fat të keq, për arsye të lokacionit po zvarritet tash e sa kohë fillimi i ndërtimit të Stadiumit të Qytetit.
FC Ferizaj ishte pjesë e debatit publik të organizuar ditë më parë nga Kryetari i Komunës, Agim Aliu ku u diskutua dhe ishte kërkesë njëzëri e të gjithë diskutuesve, që të nis sa më shpejt ndërtimi i Stadiumit të Qytetit në hapësirën prapa Palestrës së Sporteve “Bill Clinton”, hapësirë kjo që edhe me Plan Zhvillimor Komunal të Komunës së Ferizajt, parashihet si destinim sporti dhe rekreacioni.
Andaj, është kërkesë e komunitetit sportiv, sportdashësve, tifozerisë “Ujqit” dhe besojmë pjesës dërrmuese të ferizajasve që në hapësirën prapa Palestrës së Sporteve “Bill Clinton” të nis ndërtimi i Stadiumit Futbollistik të Qytetit.
E përmes kësaj kërkese publike, kërkojmë nga MKRS, Federata e Futbollit të Kosovës, në dijeni edhe të KOK-ut dhe UEFA e FIFA-së që autoritetet kompetente të nivelit qendror, të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme që të mundësohet fillimi i ndërtimit të Stadiumit të Ri të Qytetit të Ferizajt.
Ferizaj e meriton, sporti i Ferizajt nuk mund të quhet i tillë pa një vepër të tillë kapitale, andaj është koha e fundit që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, FFK, deputetët e vendimmarrësit në nivel qendror nga Ferizaj, që t’i sjellin bashkëqytetarëve të tyre, këtë projekt që kanë ëndërruar gjenerata të tëra sportistësh e sportdashësish”, bëhet thirrje publike nga kryetari i klubit, Lulzim Abazi dhe Bordi i FC Ferizaj.