Për mbi 20 vitet i injoruan vrasjet e aktivisteve të LDK-së , me akuzat ndaj LDK se po përdor vrasjet e pasluftës për të ardhur në pushtet. Jo që kjo s`ka qëndruar deri në një farë mase, gjithë sesi në vetvete ndriçimi i vrasjeve të pasluftë është dashur të jetë prioriteti atyre që ishin në pushtet. Komandantët nuk kishin interes edhe nga frika se ndonjë nga elementet e tyre potencialisht do të ishin të përfshirë , as LDK nuk ka treguar ndonjë vullnet te madh për t’i hetuar. Më e madhe se dëshira për t’i hetuar këto vrasje ka qenë interesi për të përfituar në emër të tyre.
Njëri ndër ish komandantë të luftës që nuk ka folur asnjë herë për vrasjet e aktivistëve të LDK-së, Fatmir Limaj më në fund e pranon atë që nuk mund të mohohet: “Ka pasur vrasje të aktivistëve të LDK-së, nuk ka dilemë. Por dikush qëllimisht nuk ka dashur t’i hetojë ato raste në mënyrë që ajo të mbetet temë qendrore. Pastaj qëllimi ka qenë të krijohen ndarje, përçarje, paragjykime, e për të akuzuar njerëz faj e pafaj”, ka theksuar Limaj, gjë të cilën është dashur qysh moti ta bënte. Limaj, ndër politikanët më dinak, e di se tani po u vjen fundi të gjithë atyre që kanë vrarë për të ardhur në pushtet, andaj përdor manovra të ndryshme për t’u dukur i pastër.
Pse u desh të formohet Gjykata Speciale, të arrestoheshin ish krerët e lartë të luftës në aktakuzat e të cilëve përmenden edhe vrasjet e shqiptarëve , që Limaj të thoshte diçka të cilën është dashur qysh në fillim ta përmendte dhe të angazhohej për të zbardhur të vërtetën. Sa i sinqertë është rrëfimi i Limajt nuk di ta them, nuk besoj tek dikush që e ka humbur besimin me veprimet e tija tanimë të njohura, e sigurt është se Limaj e di se dikush do e “ha” keq për të gjitha vrasjet e pasluftës.
Limaj thotë se këtë gjë e ka bërë Serbia për të krijuar përçarje, nga e di ai një gjë të tillë, do të isha shumë i lumtur që ta ketë bërë Serbia dhe jo ndër nesh, kjo gjë duhet të thuhet me fakte. Pa zbardhjen e vrasjeve të aktivistëve të LDK-së, dhe të gjithë paslufte, s`mund të ketë paqe në politikën vendit tonë.
Pak rëndësi ka tani a e pranon apo jo Limaj një gjë të tillë, është Specialja ajo që do e zbardhi të gjitha krimet e pasluftës. Limaj nëse nuk ka gisht në këtë punë të rri i qetë, përndryshe s`ka asnjë ndikim më fjala e tij. Fjala që nuk thuhet në kohën e duhur më s`ka peshë dhe vlerë. Limaj dhe të gjitha ata që kanë qenë në pushtet nga paslufta kanë përgjegjësi të madhe pse këto vrasje nuk janë zbuluar, në se qenka Serbia ajo që i paska bërë, mos vallë iu paska dhimbsur Serbia që nuk kanë punuar në këtë drejtim.
Tani është vonë çfarë do që thuhet, nëse do të kishte sado pak vullnet politik do të ishin zbuluar vrasjet e pasluftës, lotët e krokodilit nuk bëjnë më punë. Shpresoj dhe uroj me zemër mos të dalin shqiptarët si vrasës të aktivistëve të LDK, mos të ketë pasur vllavrasje, kushdo që e ka bërë të marri dënimin e merituar, gjaku i tyre nuk ishe ujë dhe kurrë s`mund të bëhet i tillë. Nëse Limaj s`do e kishte mendjen tek tenderët por tek e vërteta për vrasjet e pasluftës, ndryshe do të ishte sot gjendja.