Fatet e Vllaznisë dhe Kukësit

Europa kalon nga Tirana. “Bardheblutë” e kryeqytetit triumfuan në fundjavë ndaj Partizanit në derbi, duke siguruar matematikisht edhe titullin kampion, të 26-tin në histori.

Tre javë nga fundi, Tirana do të luajë për “formalitet”, por nga kampionët e Shqipërisë varet edhe fati i zonës europiane. Natyrisht, në një moment të tillë, dëshira dhe grinta për të marrë maksimumin ulet dhe po ashtu edhe “vorbulla” e rinovimeve, pasi disa lojtarë të rëndësishëm janë në skadencë kontrate ashtu si vetë trajneri, Orges Shehi.

Gjithsesi, tani Tiranës i duhet të “respektojë” kampionatin deri në fund, në 270 minutat finale të këtij edicioni. Kampionët e Shqipërisë do të presin në shtëpi Vllazninë, në javën e 34-ët, me shkodranët të cilët kërkojnë të “blindojnë” vendin e tretë në kampionat për të pasur të sigurt pjesëmarrjen në Europë dhe për të mos i “varur” shpresat te finalja e Kupës, ndaj Laçi-t.

Pas pengesës shkodrane, Tirana udhëton në Rrogozhinë përballë Egantia-s, më këta të fundit që luajnë për të evituar vendin e tetë (zona Play-Out), ndërsa 90 minutat e fundit i luan ndaj Kukësit, një tjetër kundërshtar potencialisht në garë për zonën europiane. Verilindorët nuk kanë rrugë tjetër përveç kampionatit për të prekur Europën, por mbetet për t’u parë se si do të prezantohet skuadra e Longo-s në atë përballje, pasi varet shumë nga dy sfidat e para, në prag të Tiranës.

Kryeqytetasit u rikthyen te suksesi pikërisht përballë Partizanit, pasi ai sukses la pas tre javët pa fitore (1 barazim dhe 2 humbje), duke treguar kështu luhatje në fundin e kampionatit, kjo edhe për vetë faktin e qetësisë nga vendi i dytë, një qetësi që tashmë është plotësisht e sigurt. Pavarësisht “halleve” të rinovimeve dhe kompozimit të skuadrës në sezonin e ardhshëm, “bardheblutë” kanë nisur të mendojnë seriozisht edhe për përgatitjet e prag-Europës, si edhe për rivalin e mundshëm në kualifikueset e Champions League.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ja 13 etapat e turneut të “mbretëreshës”

Story i radhës

Ronela Hajati për herë të parë u përgjigjet kritikave për performancën e saj në “Eurovision”

Të fundit nga