Me pak fjalë, Farmakoekonomia është një disiplinë që trajton kostot e medikamenteve duke i krahasuar me rezultatet kuruese të tyre. Bëhet fjalë për medikamente sintetike, me origjinë bimore, përfshi këtu dhe kanabisin farmaceutik, i cili së fundmi është bërë çështje e ditës.
Liberalizimi i tij mendohet se do të jetë si një “barkë shpëtimi” për makroekonominë tonë, e cila në këtë periudhë është në vështirësi që lidhen me shume faktorë subjektivë dhe objektivë. Justifikimi “moral” është gjetur tek konsultimit popullor, ku thuhet se shumica e “konsulentëve” janë shprehur pro liberalizimit të kanabisit farmaceutik. Faktikisht, kjo konsulencë nuk ishte me shqiptarët, por vetëm me shqiptarët e politizuar e ndoshta përkrahës të kësaj qeverie.
Dhe në rast se formularët nuk janë shpërndarë në mënyrë selektive, ato janë plotësuar në mënyrë selektive. Natyrshëm ato që nuk kanë simpati për këtë mënyrë qeverisëse i kanë grisur ose thjeshtë nuk i kanë plotësuar.
Për arsye se çështja e kanabisit është bërë një çështje e zakonshme për shqiptarët dhe ata kanë parë shumë më keq si p.sh. trafikimin e qenieve njerëzore etj., nuk ve në dyshim faktin se një pjesë e madhe janë përgjigjur pro. Madje, mund të ishin përgjigjur pro dhe për kanabisin për përdorim vetjak. Krahasuar me trafikimin e qenieve njerëzore, trafiku dhe përdorimi i kanabisit mund të mendohet një evoluim “moral” i krimit shqiptar.
Por, parë në kompleks, dhe n. q. s. bëhet i kontrolluar dhe shpëton makroekonominë e për rrjedhojë dhe financat, shoqërisë tonë do t’i sjellë më shumë dëm se fitim . Duket paradoks, por jo gjithmonë zhvillimi ekonomik sjell mirëqenie në shoqëri. Në radhë të parë, kishim marrë famë me mund të madh në arenën ndërkombëtare dhe i kishim dhënë ngjyrë jeshile vendit tonë në hartën e kanabisit.
Së fundmi, me liberalizimin e tij, po e amplifikojmë këtë famë dhe po theksojmë këtë ngjyrë. Se dyti, liberalizimi i kanabisit (duke marrë vetëm emrin dhe lënë mënjanë “farmaceutik”) në një farë mënyre përbën një justifikim nga ata që janë të varur nga përdorimi dhe ato që e trafikojnë. Dhe ato pak të rinj që ndodhen në dilemën e gomarit të Buridanit për ta përdorur, kultivuar apo jo ndikohen nga ky legalizim dhe e zgjidhin këndshëm dilemën në favor të përdorimit.
Pasojat do të jenë: degradimi i mëtejshëm i të rinjve; rritja e kriminalitetit të lidhur me këtë plagë tënshoqësisë si vrasje; aksidente rrugore të shkaktuar nga më shumë të droguar në timon e shumë pasoja të tjera. Ndërsa kanabisi shkakton tjetërsimin e stadit psikik, liberalizimi i tij do të sjell rendimin e stadit social tejet të ngopur me krime. Ky liberalizim minimalisht mund të shtyhej për një moment të dytë.