Fantazma e anti-shqiptarisë me pelegrinë!

May 30, 2022
min lexim

Të dielën e shkuar udhëtuan për në Manastirin e Deçanit shumë pelegrinë të Beratit dhe Vlorës të udhëhequr nga priftërinj shqiptarë. Këtë manastir e kishte vizituar edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, zoti Meta, para pak vitesh dhe pati tentativa që të vihej një shenjë barazimi midis pelegrinazhistëve të sotëm me vizitën e kreut të shtetit shqiptar. Nuk dua ta paragjykoj vizitën e tij asokohe. Dhe jam i bindur se presidenti Meta ka dashur të japë mesazh me atë vizitë, mesazh që kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë të së dielës. Motivet e asaj vizite dhe motivet e pelegrinazhit të së dielës janë krejt të ndryshme.

Që në fillim dua të them se në kryeministrinë e shtetit shqiptar është ngritur një zyrë e posaçme për të promovuar “miqësinë shqiptaro-serbe”! Kjo zyrë programon gjithçka që shkon në dobi të interesave të Serbisë në Kosovë, në Shqipëri e në Ballkan. Në këtë zyrë punojnë specialistë të PR nga Tirana dhe nga Beogradi. Aty jepen dhe aplikohen në letër ide, projekte, veprimtari, marrëveshje, si dhe deklarimet politike. Skema e kësaj zyre ka një moto: “Asgjë kundër Serbisë, asgjë jashtë marrëdhënieve miqësore me Serbinë, gjithçka brenda interesave të saj”!

Është pikërisht zyra e piarit të marrëdhënieve dhe promovimit të Serbisë ajo që projektoi vizitën e pelegrinëve dhe priftërinjve shqiptarë të Beratit e Vlorës në Manastirin e Deçanit. Në parim nuk ka asgjë jashtë logjikës. Madje, ata që nuk i njohin rrethanat e sotme të zhvillimeve në Kosovë kanë të drejtë të më kundërshtojnë ashpër për këtë kritikë timen. Gjithçka motivohet me “pajtimin” midis të dy popujve. Por ky lloj pajtimi është i pamoralshëm, jo korrekt dhe i pabesë.

Ta zëmë se dikush i ka marrë jetën djalit të vëllait. Dhe vëllai, pra xhaxhi i viktimës, pa lejen e pra vëllait tjetër, shkon e miqësohet me vrasësin e nipit të vet. Vëllai mund t’i lutej vëllait të viktimizuar për pajtim, por në traditën njerëzore, jo vetëm shqiptare, nuk mundet që të miqësohet me vrasësin e djalit të vëllait! Kjo është tradhti ndaj vëllait! Është imoralitet dhe si i tillë ky akt do të dënohej nga gjithkush. Kësisoj ka ndodhur me Edi Ramën. Motrat dhe vëllezërit tanë në Kosovë u masakruan, u dhunuan, u përdhunuan, u përvëluan nga serbët, ku rol aktiv kishte edhe Aleksandër Vuçiq. Dhe vjen një ditë kur “vëllai i madh”, pra Edi Rama, pa pyetur dhe pa kurrfarë keqardhje për “vëllain e vogël”, Kosovën, shkoi dhe u pajtua, u miqësua, u përqafua, u puth dhe tani thur intriga bashkë me presidentin e Serbisë kundër “vëllait të vogël” të gjenociduar, Kosovës!

Pikërisht kjo po ndodh në marrëdhëniet midis Tiranës zyrtare dhe Beogradit. Dhe kjo skemë po elaborohet sipas projekteve serbe të Çubrilloviçit, Andriçit e madje edhe të Vladan Gjorgjeviçit në zyrën e “miqësisë shqiptaro-serbe” në selinë e kryeministrit shqiptar. Gjithçka e bëjnë “në emër të promovimit të paqes”! Në fakt provokojnë luftën. Pse po provokojnë luftën? Sepse po mbajnë anë në konfliktin midis Kosovës e Serbisë. Edhe në këtë rast ata po mbajnë anën e Beogradit, të agresorit e dhunuesit. Le ta sqarojmë!

Ka disa muaj që qeveria e Kosovës është vënë nën presion të madh që t’i japë manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë si pronë të saj dhe ky territor më pas të shpallet si ekstra-territor serb, pra i pakontrolluar nga shteti e institucionet e Kosovës, si kusht për “paqe me Serbinë”! Vuçiq e përmend këtë fakt çdo ditë dhe ka mundur të fajësojë në sytë e perëndimorëve qeverinë Kurti. Me qëllim që Vuçiq të ketë mbështetje dhe argumente shtesë në ankesat e tij përpara përfaqësuesve amerikanë e europianë, Rama urdhëroi vizitën e pelegrinëve dhe priftërinjve shqiptarë në këtë manastir. Kjo ngjarje shërben njëkohësisht si arsyetim i Beogradit për të arrit “pavarësinë territoriale” të manastirit nga shteti i Kosovës. D.m.th që varësia e tij të jetë direkt në Beograd.

Pikërisht këtij qëllimi i ka shërbyer dhe i shërben loja me pelegrinë e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. Të dy ata janë të kënaqur tej mase me këtë provokim djallëzor kundër institucioneve dhe sovranitetit territorial të Kosovës. Fantazia e intrigave të zyrës serbo-shqiptare në godinën kryeministrore të Tiranës nuk dihet se deri ku do të shkojë. Por ditë të mira dhe paqe në Kosovë e në rajon nuk mund të ketë, sa kohë që në vend të ballafaqimit me të vërtetën Kosova dhe shqiptarët do të ballafaqohen me intriga dhe pabesi!

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

VOA/ BE nuk arrin marrëveshje për ndalimin e naftës ruse

Story i radhës

Twitter Circle është një kopje e Instagram Close Friends

Të fundit nga

ShkoLartë