Faljet: Prononcohet kabineti i Presidentit

Presidenti, Stevo Pendarovski ka falur pjesërisht të dënuarin për ngjarjet e 27 prillit, Abdulfeta Alimin. Përkatësish, Alimit i janë falur 8 muaj të vuajtjes së dënimit me burg. Në këtë listë ndodhen edhe katër persona të tjerë, njëri prej tyre është falur tërësisht, ndërsa tre të tjerë pjesërisht. Vendimi i presidentit për falje, vjen pasi paraprakisht ishte anashkaluar falja tradicionale e vitit të ri, pasi në listë ndodheshin edhe emra të kontestueshëm si, i dënuari për vrasjen e Almir Aliut, Boban Iliq.

Presidenti, Stevo Pendarovski ka sjellë vendim për faljen e personave të dënuar, ndërsa në listë ndodhet edhe emri i Abdulfeta Alimi, i cili u dënua për ngjarjet e 27 prillit, ndërsa besohet se i shpëtoi jetën liderit të Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela gjatë mbrëmjes së përgjakshme.

Lista e nënshkruar nga presidenti me personat e falur, është publikuar dje në Gazetën Zyrtare dhe në të ka edhe katër persona të tjerë:

FALJET E PRESIDENTIT

-Aleksandar Petrovski – lirohet plotësisht nga vuajtja e dënimit me burg

–Abdulfeta Alimi – lirohet pjesërisht nga vuajta e dënimit me burg, përkatësisht i falen 8 muaj

–Nexhmedin Matoshit – i falen katër muaj

-Dimitar Mishkovit – i falen tre muaj

–Xhafer Nebijës – i falen pesë muaj

Nga kabineti presidencial kanë thënë se, në lidhje me lëndët e përfshira me vendimin e fundit për falje të personave të dënuar, Komisioni për falje ka dhënë propozim pozitiv.

Kabineti i presidentit ka sqaruar se, ekzistojnë dy lloje të faljes, të rregullta, kur persona i dërgojnë individualisht lutje për falje Ministrisë së Drejtësisë, si dhe falje grupore.

PRESIDENTI I RMV-së

“Faljet grupore janë kategori e dytë dhe për to procedura zhvillohet dy herë në vit, për 2 gusht – Ilinden dhe për festat e fundvitit. Për faljet grupore, propozimet në Ministrinë e Drejtësisë vijnë nga shtëpitë ndëshkimore-përmirësuese dhe jo sipas kërkesave individuale të personave që vuajnë dënimin. Më pas, Ministria e Drejtësisë ia dorëzon propozimet Komisionit për falje të presidentit, i cili i dorëzon mendim presidentit në mënyrë të veçantë për secilin rast. Presidentit në bazë të kompetencave të tij kushtetuese e miraton vendimin përfundimtar”.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela. Ai nëpërmjet një posti në rrjetin social Facebook, ka përshëndetur vendimin, duke thënë se është mbajtur në burg për vite padrejtësisht.

“U gëzova pa masë Feta, pa çka se tetë muaj falje s’janë asgjë në krahasim me shtatë vite padrejtësisht i dënuar. Ti duhet të jesh i lirë dhe jo i falur miku im. Falë teje jam e falë të qofsha!”

Abdulfeta Alimi u dënua me shtatë vite me burg për ngjarjet e 27 prillit, për shkak se ia ka dhënë çelësat e dyerve të parlamentit shefit të sigurimit personal të ish kryeparlamentarit, Trajko Veljanoski. Por, Alimi gjatë seancave gjyqësore ka thënë se vetëm ka kryer urdhrin që i është dhënë. Nga ana tjetër, Ziadin Sela i cili u rrah brutalisht në mbrëmjen e përgjakshme të 27 prillit, pretendon se Alimi i ka shpëtuar jetën atë natë.

Kujtojmë se paraprakisht, presidenti anashkaloi faljen tradicionale të vitit të ri. Në listën që Ministria e Drejtësisë i dorëzoi atëherë presidentit për falje, në mesin e 48 personave ndodheshin edhe biznesmeni Sead Koçan, dëshmitari i prokurorisë për ngjarjet e 27 prillit Aleksandar Vasilevski – Ninxha dhe i dënuari për vrasjen e Almir Aliut, Boban Iliq. Pas reagimeve dhe presionit të madh të opinionit, ministria tërhoqi listën.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Themelohet rrjeti ombrellë i OSHC-ve për arsimin parauniversitar të Kosovës

Story i radhës

Tebas shuan ëndrrat e PSG-së

Të fundit nga