Facebook ju thotë moderatorëve të censurojnë sulmet Izraelite ndaj Palestinës por jo ato Ruse ndaj Ukrainës

min lexim

Pas një serie sulmesh ajrore Izraelite ndaj Rripit të Gazës në fillim të muajit Gusht, përdoruesit Palestinezë të Facebook dhe Instagram protestuan për fshirjen e postimeve të cilat dokumentonin vrasjet dhe shkatërrimin.

Nuk është hera e parë që përdoruesit Palestinezë të dy platformave të gjigantit të rrjetit social Meta, janë ankuar për fshirjen e postimeve të tyre. Është shndërruar në një zakon: postimet e Palestinezëve nganjëherë me foto dhe video të sulmeve Izraelite, që Meta menjëherë ti fshijë me arsyetimin se shkelin “Standardet e Komunitetit” ose në shumë rast pa asnjë shpjegim.

Miliarda përdorues të tjerë të platformave të Meta, thuajse nuk përfundojnë në probleme të tilla kur dokumentojnë bombardimin e shtëpive, fshatrave dhe qyteteve të tyre.

Është raportuar më herët se kompania këtë vit ka kërkuar nga moderatorët që të shmangin postimet që përmbajnë imazhe dhe video rreth luftës Rusi-Ukrainë nga procedura standarde duke mbajtur një qëndrim jo shumë agresiv ndaj tyre.

Si shumë kompani të tjera të internetit, Meta ju përgjigj pushtimit të Ukrainës duke aktivizuar disa politika të cilat zgjeronin lirinë e shprehjes së Ukrainasve, specifikisht duke lejuar imazhet e civilëve të vrarë nga ushtria Ruse të postohen në Instagram dhe Facebook.

Një lëshim i tillë nuk është bërë kurrë për viktimat Palestineze të dhunës Izraelite e asnjë lloj materiali që tregon vuajtjen e popullsisë.

“Është një censurë e hapur e të drejtave të njeriut dhe narratives Palestineze,” thoshte Mona Shtaya, këshilltare pranë 7amleh, Qendrës Arabe për Avancimin e Medias Sociale, një grup civil që bashkëpunon me Meta në lidhje me problemet e lirisë së shprehjes.

Gjatë sulmeve të fundit të Izraelit në Gaza, mes datës 5-17 Gusht, 7amleh raportoi 90 fshirje të përmbajtjeve ose mbyllje të llogarive të cilat kishin postuar rreth bombardimeve duke vënë theksin tek censurimi i përmbajtjeve që po shtohet.

Marwa Fatafta, menaxher i një grupi për të drejtat e njeriut quajtur Acess Now, tha: “Censura e tyre funksionon si të ishte kurdisje, kur dhuna përshkallëzohet në terren, njëkohësisht shtohet fshirja e përmbajtjeve Palestineze.”

Shembuj të censurës së përmbajtjeve Palestineze janë një postim i datës 5 Gusht lidhur me vrasjen e vajzës 5 vjeçare Alaa Qaddoum nga një sulm Izraelit me raketa si dhe një video në Instagram që tregonte banorët e Gazës duke tërhequr trupat e njerëzve nën rrënoja.

Të dy postimet janë fshirë me pretendimin se janë në kundërshtim me standardet e Facebook për dhunën dhe organizimet e paligjshme.

Zëdhënësja e Meta Erica Sackin tha për The Intercept se dy postimet janë fshirë bazuar në politikën e individëve dhe organizatave të rrezikshme, dhe censurimi aplikohet për grupet të shpallura terroriste nga SHBA. Sacking nuk shpjegoi si imazhi i një 5-vjeçareje të vrarë nga sulmet Izraelite promovon terrorizmin.

Palestinezët në Gaza të cilët postojnë rreth sulmeve Izraelite thanë se postimet e tyre nuk përmbajnë asnjë lloj mesazhi politik e as kanë lidhje me grupe terroriste. “Thjeshtë po postoj lajme rreth asaj çfarë po ndodh,” tha Issam Adwan, një gazetar me kohë të lirë në Gaza. “Madje as nuk kam përdorur një gjuhë urrejtjeje: thjesht po përshkruaj sulmet Izraelite, dhe nuk jam mbështetës i Hamas apo grupeve të tilla.”

Grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut thanë për The Intercept se përjashtimet të bëra për luftën Rusi-Ukrainë janë një shembull si standardit të dyfishtë që Meta aplikon me vendet Perëndimore dhe pjesën tjetër të botës.

Edhe pse shumica e përdoruesve në platformat e medias sociale të Meta jetojnë jashtë SHBA-ve, kritikët thonë se politikat e censurës së kompanisë rreshtohen me interesat e politikës së jashtme Amerikane. Këto grupe vënë theksin tek natyra politike e vendimeve të moderimit. “Meta mori masa për të mbrojtur Ukrainasit nga pushtimi Rus sepse kishte vullnet politik,” tha Shtaya, “por ne Palestinezet nuk kemi pasur këtë luks.”

Duke marrë vendimet bazuar në politikat shtetërore Amerikane, Meta mund të përfundojë duke censuruar deklarata mbështetjeje jo të dhunshme për Palestinën thoshte një deklaratë e Human Right Watch në 2021. “Është një shembull i qartë rreth asaj çfarë po ndodh sot,” tha Omar Shakir, drejtor i Human Rights Watch për Izraelin dhe Palestinën. Ndërsa hetimet e HRW janë në zhvillim, Shakir tha se kishte vënë re tashmë censurimin e Meta përfshirë dokumentimin e abuzimeve me të drejtat e njeriut.

Vetë kompania nuk ka dhënë asnjë shpjegim lidhur me heqjen e postimeve. Shumë publikues thanë se nuk kishin marrin sqarim e as informacione pse postimet janë fshirë gjatë muajit Gusht. Vetë Meta refuzoi të tregonte çfarë politikash janë shkelur. Heqjet e mëhershme të postimeve nga Meta justifikoheshin me politikën kundër organizatave dhe individëve të rrezikshëm por edhe me politikën e ndalimit të përhapjes së përmbajtjeve të dhunshme, simboleve dhe gjuhës së urrejtjes.

Libri i rregullave të standardeve të komunitetit të Meta thotë: “Ne heqim çdo përmbajtje që mbështet dhunën apo gëzon vuajtjen apo poshtërimin e të tjerëve sepse mund të krijojë një ambient që dekurajon gjithpërfshirjen,” duke cituar një përjashtim të paqartë të përmbajtjeve grafike që rrisin ndërgjegjësimin rreth këtyre shqetësimeve.

Politika e përmbajtjeve grafike dhe të dhunshme aplikon masa deri në dëbim për video të trupave të viktimave dhe kufizon shikueshmërinë e imazheve vetëm për përdorues mbi 18 vjeç.

Një version i brendshëm i standardeve të komunitetit parë nga The Intercept, seksioni që merret me përmbajtjet grafike përmban disa politika të devijojnë nga rregullat standarde kryesisht për lajmet e fundit. Përjashtimi i lajmeve të fundit tregon se moderatorët e Meta duhet të sigurohen që të mos fshijnë përmbajtje apo imazhe që tregojnë civilë Ukrainës të vrarë nga sulmet Ruse. Ky lejim përmban akte të dhunës shtetërore të ngjashme me censurimin që i bën Meta postimeve që dokumentojnë dhunën e ushtrisë Izraelite përfshirë referenca të sulmeve ajrore.

Sipas materialit të brendshëm, Meta filloi të udhëzonte moderatorët të devijojnë nga praktikat standarde për të ruajtur dokumentimin e pushtimit rus. Një përditësim i politikës më 25 Shkurt kërkonte nga moderatorët të mos fshijnë video të disa civilëve të vrarë. “Kjo video tregon pasoja e një sulm ajror në qytetin e Uman në Ukrainë,” shkruante memoja e brendshme. “Në sekondën 0.5 vihen re civilë të dëmtuar rëndë. Kemi vendosur të lejojmë video të tilla,” thoshte kompania në një kohë që përmbajtje si këto do të etiketoheshin apo fshiheshin në kushte normale.

Më 5 Mars moderatorëve ju komunikua të anashkalonin video ku shfaqeshin njerëz të gjymtuar pas sulmit ajror në Çernikov edhe njëherë tjetër duke devijuar rregullat standarde.

Përmbajtjet e dhunshme grafike janë vetëm një shembull i shumë mënyrave sesi Meta menjëherë ndryshoi politikat e saj të moderimit në favor të rezistencës Ukrainase. Në fillim të sulmit, rrjeti social hoqi kufizimet e lirisë së shprehjes rreth Batalionit Azov, një njësi neo-Naziste e ushtrisë Ukrainase që më herët ishte dëbuar nga platforma nën politikën e organizmave dhe individëve të rrezikshëm. Në Mars Meta përkohësisht kishte lejuar deklarata që bënin thirrje për vrasjen e ushtarëve rusë, një liri që normalisht do të ishte në shkelje me rregullat e kompanisë.

Grupet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut thanë se reagimi i tyre nuk ka të bëjë me mbështetjen garantuar Ukrainës, por me mungesën e hapave të ngjashëm për të mbrojtur civilët nga aparati i censurës së Meta në çdo vend tjetër të botës.

Sesi Meta përcakton postimet të cilat gëzojnë dhunën dhe fatkeqësinë dhe cilat rrisin ndërgjegjësimin, nuk ka pasur asnjëherë një shpjegim nga kompania.

Në Janar të 2022 një postim në blog i Meta thoshte se kompania përdor një test balancimi mes interesit publik dhe rrezikut të dëmtimit për përmbajtje të cilat normalisht shkelin rregullat e kompanisë por nuk jep detaje se çfarë testi është ky. Nëse një dokumentim i dhunës nga një sulm ajror konsiderohet glorifikim i dhunës apo në interes publik, këtë vendim e merr Meta.

Mbështetja e Meta ndaj Ukrainës me ndryshimin e politikave që lejonin dokumentimin e dhunës së Rusisë sipas The Intercept shkon përtej deri tek lejimi i materialeve propagandistike shtetërore.

Materiale të brendshme të kompanisë tregojnë sesi rrjeti social kishte lejuar video propagandistike të Ukrainës të vinin theksin tek dhuna Ruse kundrejt civilëve përfshirë një film emocional “Close the Sky” i paraqitur në Kongresin Amerikan në Mars nga presidenti Volodymyr Zelenskyy.

Më 13 Maj moderatorëve ju tha që të mos fshinin një video të postuar nga Ministria Ukrainase e Mbrojtjes që përmbante grafika të trupave të djegur. Rrjeti social tha edhe pse videoja është në kundërshti me politikat e saj, ajo përjashtohet sepse dokumenton një konflikt të armatosur.

The Intercept tha se nuk kishte vënë re asnjë ndërhyrje të tillë të rrjetit social për Palestinezët e as përjashtim ndaj propagandës në simpati të civilëve të vrarë.

Kritikët thonë se pse liria e shprehjes rreth krimeve të luftës dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut ndaj Evropianëve veçohet kundrejt abuzimeve bërë ndaj të tjerëve nëse flasim për mbështetjen që gjen.

“Meta duhet të respektojë të drejtën e njerëzve për të folur lirisht, në Ukrainë apo Palestinë,” tha Shakir i Human Rights Watch.

“Duke heshtur njerëzit në mënyrë arbitrare dhe pa shpjegim, Meta po përsërit atë mungesë balance të pushtetit dhe abuzimit që shohim në botën e vërtetë.”

Ndërsa Meta duke se do të mbajë qëndrim kundër përmbajtjeve grafike publikuar nga Palestinezët, në anën tjetër ka ndërhyrë në postimet rreth konfliktit Izraelito-Palestinez në favor të ushtrisë Izraelite. Në një rast, Meta mori masa që një sulm i orkestruar kundër forcave Izrealite të sigurisë në Bregun Perëndimor të qëndronte online: “Një oficer policisë kufitare u sulmua dhe u dëmtua me një koktail molotov gjatë përplasjeve me Palestinezët në Hebron.” The Intercept tha se në diskutimet e brendshme të Facebook kompania kishte thënë “do të bëjmë përjashtim për këtë lloj përmbajtjeje duke e etiketuar vetëm si shqetësuese.” /PCWorld Albanian

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Grubi: Përqindja duhet t’i referohet luftës kundër korrupsionit dhe jo provizionit

Story i radhës

Shaqiri:Me sukses po fillon viti i ri shkollor

Të fundit nga

Tërmet në Strumicë

  Një tërmet është ndjerë rreth orës 21:45 të mbrëmjes së sotme në afërsi të Strumicës,