Edhe ne, as të rinj e as të moçëm ende që punojmë me të rinjtë, mundohemi të ndryshojmë realitetet tona, duke i besuar energjisë, risive e freskisë së ideve të më të rinjve.
Nganjëherë realitetet ku jetojmë, ngatërrohen e kacafyten me rutinën tonë të përditshme dhe idetë, mbeten si jetimë.
Por siç ka thënë dhe Churchill: “Kush është optimist e sheh mundësinë pikërisht në kohë të vështira”.
Pandemia, e cila tashmë është duke iu afruar përvjetorit të dytë të ardhjes së saj në skenën globale, ka transformuar rrënjësisht jetën tonë në këtë pjesë të botës sa afër dhe larg Europës.
Prej Ballkanit, ne kemi parë Europën dhe europianët në ditët e tyre më të mira dhe më të këqija.
Ashtu si natyra edhe politika e urren vakumin dhe vështirë se dikush mund ta mohojë se energjia e bashkimit me Europën që vite më parë çoi peshë zemra e popuj, sot ka marrë formën e melankolisë, shoqja më besnike e zhgënjimit.
Atëherë,ç’duhet bërë?
E para, të mos gënjejmë veten! Edhe pse po jetojmë ditë më të qeta, -rajoni ynë i ka të freskëta plagët e luftës, qytetarët notojnë mes dallgëve e sfidave.
Pavarësisht ideve të reja a të rifreskuara, nga mendimtarët, studiuesit dhe aktivistët politikë, se si mund të ri- mishërohet sërish fryma që lindi Europën e Bashkuar, si të mos harrohen për fare vlerat mbi të cilat u ngrit ky bashkim shtetesh, apo thirrjeve nga Ballkani drejtuar Europës për të mos harruar se në c’rrugë jemi nisur së bashku, -si në BE edhe në Ballkan, gjen gjithmonë e më pak besimtarë tek historia e zgjerimit të Europës me shtëpitë tona nga Ballkani.
Megjithatë, unë vazhdoj të besoj se idea e mendjeve të ktjellëta që lindi Europën e Bashkuar, si një domosdoshmëri për të pajtuar kombe e vende në luftë; për të vendosur bashkëpunimin dhe stabilitetin duke shuar zjarrin e mosmarrëveshjes midis fqinjeve, si dhe arti i të jetuarit me të tjerët, është vokacioni më i madh dhe vlera e patjetërsueshme e Europës, që duam mes nesh në rajon.
“Nëse doni përkushtimi, besojuni të rinjve”– tha Papa Françesku.
Hisja e botës ku jetojnë rreth 18 milionë qytetarë, Ballkani Perëndimor, ka kohë që jeton si mes një dëshire të zjarrtë për ta bërë veten si Europa dhe një nervozizmi që Europa herë na duket jona e herë na rri larg,
Ata që sot janë më afër me kontinentin e vjetër janë të rinjtë. Dhe jo vetëm se janë mendje hapur e jetojnë në një kohë kur revolucioni digjital ka shembur ca mure, por edhe sepse fatkeqësisht po largohen duke iu bashkuar Europës një nga një.
70 për qind e të rinjve të Ballkanit Perëndimor, të moshës 18-24 vjeç, besojnë se anëtarësimi në BE do të ishte diçka pozitive për vendet e tyre përkatëse, shumë më tepër se çdo grupmoshë tjetër. Vizioni i tyre për BE-në – për Europën – është ai që lejon lirinë e udhëtimit (59 %), lirinë e punës dhe studimit (59 %) dhe prosperitetin ekonomik (48 %). Frika për humbjen e sovranitetit, një temë kryesore në mesin e euroskeptikëve të BE-së, është minimale, duke mbetur vetëm 5%.
Pra janë vlerat ato që zënë skenën qendrore – ose sic do të thoshte ndonjë zyrtar Brukseli, janë vlerat e mishëruara në nenin 2 të Traktatit për Bashkimin Evropian.
Liria është vokacioni kryesor i të rinjve.
Liria për të studiuar dhe punuar kudo nëpër Europë, më po atë lirshmëri e mundësi që mund të udhëtojnë. Por edhe këtu jo të gjithë janë njëlloj. Të rinjtë e të rejat e Kosovës ka vite që presin të mos ju mohohet liria e të udhëtuarit në Europë si bashkmoshatarët e tyre.
Në një rajon ku mbi dy të tretat e të rinjve do të ishin gati të bënin trajnime shtesë pa fund, vetëm për të gjetur një punë, gati një e katërta e tyre nuk janë as në punë, as në shkollë apo kurse trajnimi.
Prandaj, s’kemi pse habitemi që përsëri, dy të tretat e tyre janë gati të lënë vendet e tyre për të jetuar e punuar jashtë vendit.
Jo rrallë kjo kthehet në eksperiencë rraskapitëse, e shtrenjtë po e po, ngarkuar me proceduara të gjata burokratike.
Pyetini të rinjtë në Ballkanin Perëndimor se çfarë duan dhe ata, me fjalët e tyre, do t’ju citojnë nenin 2 të Traktatit të BE-së.
Jo si zyrtarë Brukseli, por është cka mendojnë se meritojnë.
Mes idesë dhe realitetit
Realiteti i vendos kufij ideve. BE-ja nuk është e përsosur, procesi i zgjerimit nuk është i lehtë.
Megjithatë, nëse udhëhiqemi kryesisht nga ideja, ka gjëra që mund të arrijmë të bëjmë, duke lundruar në realitetin e sotëm por për të formuar të nesërmen.
Nga sot, ne mund ta fillojmë nga shtëpia jonë. Nëse Europa është një ide, mund ta sjellim atë në jetë, në çdo cep të botës, duke përfshirë dhe zemrën e kontinentit europian, Ballkanin Perëndimor.
Të rinjtë kanë ide të shkëlqyera. RCC organizon për të tretin vit radhazi Balkathon,konkursin digjital për të mbështetur ide e risi nga gjithë rajoni. Një pjesë prej atyre ideve sot janë në treg.
Ballkani Perëndimor ka gjithashtu shumë shembuj pozitivë të vajzave në STEM, që studiojnë shkencë e matematikë, apo grave sipërmarrëse dhe të rinjve të suksesshëm, të cilët po i ndjekim duke qenë gjithmonë pranë tyre, për t’i promovuar.
Prej të rinjve u ngacmuam për të punuar mbi ngritjen e Koalicionit rajonal për punë dhe aftësi të bindur se nëse të rinjtë mbështeten do të kenë gjithnjë e më shumë arsye për të mos brakstisur vendet tona.
Ne bëjmë sa kemi në dorë.
Diku me hapa të mëdhenj, siç është hyrja në fuqi e regjimit #folsinshpi, #roamingfree, në rajon e deri tek përpjekja e përditshme për të mos lënë rrugës cfarë kemi nisur.
Laboratori i parë i Politikave Rinore të Ballkanit Perëndimor që u lançua në vitin 2020, ishte një qasje eksperimentale dhe inovative. I modeluar sipas praktikave më të mira të BE-së, ishte një risi në rajon. Jo pa arsye, por edhe sepse pandemia ndryshoi jetët tona. Të rinjtë u vunë përballë me dilema e vendime të cilat ngarkuan edhe më shumë gjendjen emocionale e shëndetin e tyre mendor. Ndaj edhe Të rinjtë e Shëndeti Mendor ishte një nga idetë më të mira që nisëm në rajon.
Kohërat ndryshojnë dhe realiteti në të cilin jeton rinia sot është larush në ngjyra, shënjuar nga epoka e transformimit të shpejtë të revolucionit të katërt industrial, nga tregu i ndryshueshëm dhe i pasigurt i punës dhe padisikutim nga një pandemi e paprecedentë në historinë moderne.
A mjafton leximi I ftohtë I të përditshmes tonë? Vështirë se, por ne po mundohemi t’u japim të rinjve sa më shumë mundësi si dhe një zë në politikëbërje dhe debate publike.
Vitin 2022, Viti Evropian i Rinisë mbart një premtim për të bërë pikërisht këtë.
Tirana solli Rininë e Europës në Ballkan!
Kryeqyteti Europian i Rinisë, ka fatin të gjallërojë e të mendojë si të rinjtë edhe për të rinjtë. Tirana e ka një mision këtë vit. Ne të gjithë duam që Europa të na ndryshojë e të na e shpërblejë këtë dashuri të madhe që kemi ndaj saj, por askush mirë se të rinjtë nuk e bën dot këtë.
Pra, çfarë duhet bërë?
Nuk duhet të gënjejmë veten. Ballkani Perëndimor është plot me vajza e djem të rinj me ide, të zgjuar, të talentuar, që flasin disa gjuhë, që kanë guxim dhe vetëbesim, të pakonkurueshëm në sport apo art e që s’meritojnë të trajtohen si “kushërinjtë” e varfër të të europianëve.
Eshtë tashmë urgjente, që ne të rimendojmë, rinovojmë, rikrijojmë realitetin tonë, duke menduar se një shtëpi e braktisur nga fëmijët është një shtëpi e mjerë.
Fjalë? E vështirë?
Gjithmonë duket e pamundur derisa të bëhet e mundur”, – thoshte Nelson Mandela.