Escobar: SHBA-ja kategorikisht kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë

min lexim

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, thotë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

SHBA-ja, thotë ai, e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë në Prishtinë, Escobar thotë se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Escobar, po ashtu, thotë se formimi i Asociacionit të komunave serbe në Kosovë është obligim, si për Kosovën dhe Serbinë, ashtu edhe për BE-në që e ka ndërmjetëusar negocimin e tij.

“Ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit”, thotë Escobar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Escobar, faleminderit për intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë në Prishtinë! Si ka qenë vizita juaj deri më tash në Kosovë?

Gabriel Escobar: Sikurse të gjitha vizitat e mia në Kosovë, ka qenë shumë produktive. Dua të filloj duke thënë diçka që e kam thënë në njërën prej intervistave të mia të fundit. Ne e konsiderojmë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor pjesë të komunitetit transatlantik. Ju, thjesht, nuk jeni pjesë e strukturave formale, por, në çdo mënyrë, ju konsiderojmë si partnerë të rëndësishëm dhe si anëtarë produktivë të komunitetit.

Sa herë që vij këtu, takohem me udhëheqës biznesi, takohem me shoqërinë civile, takohem me udhëheqës të rinjsh. Këtë e kam bërë edhe këtë herë. Ata, vërtet, kanë përforcuar mendimin tim dhe të Qeverisë sonë se Ballkani Perëndimor është më shumë një mundësi për Evropën dhe Shtetet e Bashkuara sesa një rrezik. Ne vetëm duhet ta bëjmë realitet këtë aspiratë.

Radio Evropa e Lirë: Dua të filloj me situatën aktuale në veri të Kosovës. Kë e shihni përgjegjës për barrikadat?

Gabriel Escobar: Ajo që dua të them ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara. Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato.

Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri [i Kosovës, Albin Kurti] ka thënë se barrikadat janë të ndikuara nga Beogradi. A e ndani këtë mendim?

Gabriel Escobar: E ndaj një pjesë të këtij mendimi. Megjithatë, nisur nga diskutimet e mia me komunitetin [serb] atje, ata i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar. Nuk mendoj se bojkoti dhe barrikadat janë mënyrë për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se komunikimi i hapur, dialogu dhe pranimi se ka mungesë besimi mes dy komuniteteve, janë të rëndësishëm për të ecur përpara me sukses.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se nuk ka dialog të mjaftueshëm me komunitetin lokal nga Prishtina zyrtare?

Gabriel Escobar: E kam dëgjuar këtë prej tyre. E kam dëgjuar edhe prej pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe prej njerëzve të tjerë që nuk janë të lidhur politikisht, se në shumë raste, ata ndihen të izoluar nga qeveria qendrore. Tani, në disa raste, ata ndihen të frikësuar edhe nga disa njerëz që janë të lidhur me Beogradin. Pra, ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm, dialogut të hapur dhe angazhimit të plotë në dialogun që e lehtëson BE-ja.

Kosova të lejojë “kthimin e serbëve të larguar nga institucionet”

Radio Evropa e Lirë: Pasi që serbët e Kosovës u larguan nga institucionet, a mendoni se është e mundur që të integrohet sërish veriu i Kosovës në sistemin institucional të Kosovës?

Gabriel Escobar: Sigurisht që shpresoj në këtë, dhe shpresoj që kur të arrijmë një zgjidhje, e cila shpresoj të ndodhë shpejt – homologu im Mirosllav Lajçak është sot këtu – do të shohim largimin e barrikadave dhe do të shohim një rrugë përpara për riintegrimin. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i pranojë njerëzit që do të kthehen, ata që kanë të drejtë të kthehen, t’i lejojnë të kthehen. Dhe, më pas të lëvizim përpara në diskutimet për normalizim.

Radio Evropa e Lirë: Jeni takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe…

Gabriel Escobar: Po, jam takuar.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se ata do ta mbështesin kthimin e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës?

Gabriel Escobar: Mendoj se ata duan të kthehen. Mendoj se askush nuk përfiton nga bojkoti. Mendoj se të gjithë duhet të angazhohemi në procesin e pajtimit dhe mendoj se ata mund të jenë pjesë e këtij procesi.

“Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato (barrikada), t’i largojnë”

Radio Evropa e Lirë: A po i shfrytëzon Beogradi barrikadat si justifikim për të përmirësuar pozicionin e tij negociues në dialog?

Gabriel Escobar: Kjo mbetet të shihet. Por, më duhet të them se ka ende elemente të mungesës së besimit mes atij komuniteti dhe qeverisë qendrore. Dhe, çfarëdo që të ndodhë, çfarëdo që të bëjmë, duhet të ketë besim mes komuniteteve, përpara se të kemi një zgjidhje të suksesshme.

Radio Evropa e Lirë: Nëse banorët lokalë nuk i largojnë barrikadat, kryeministri [Kurti] i ka bërë thirrje KFOR-it që ta bëjë një gjë të tillë. A prisni ju që KFOR-i t’i largojë barrikadat?

Gabriel Escobar: Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato, t’i largojnë. Por, ne gjithashtu presim që atyre t’u ofrohet një rrugë përpara, për t’i adresuar disa çështje. Tani, ka aq shumë çështje, për të cilat duhet të jemi të vendosur. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit, me urdhërarreste legjitime… ato duhet të gjykohen në gjykata dhe jo në rrugë. Megjithatë, në çështjet që kanë të bëjnë me procedura administrative, si targat e makinave, zëri i tyre [komunitetit serb] duhet të dëgjohet. Ne e kemi inkurajuar Qeverinë që të dëgjojë zërin e tyre në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe ta përqendrojmë vëmendjen e tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, Serbia do të kërkojë nga KFOR-i kthimin e forcave të saj në Kosovë. Si e sheh SHBA-ja këtë?

Gabriel Escobar: Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte përgjigjja e SHBA-së nëse Beogradi do të bënte një inkursion të armatosur?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, nuk e pres këtë. Por, së dyti, do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR.

Radio Evropa e Lirë: Si mund të kontribuojë SHBA-ja, ose ju personalisht, në uljen e tensioneve?

Gabriel Escobar: Unë i kam thënë komunitetit [serb] se jam i hapur t’i dëgjoj shqetësimet e tyre. Ata kanë disa shqetësime legjitime. Ne, po ashtu, po kërkojmë mënyra për ta ndihmuar këtë qeveri që të forcojë pozicionin e saj në shumë gjëra. Por, gjëja më e rëndësishme që SHBA-ja do, është të shohë krijimin e Asociacionit të komunave serbe. Unë u kam thënë njerëzve se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë këtë qeveri që ta zbatojë këtë. Nga pozicioni ynë, është një detyrim ndërkombëtar, ligjërisht i obligueshëm.

Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut.

Radio Evropa e Lirë: A duhet të formohet Asociacioni para arritjes së marrëveshjes finale?

Gabriel Escobar: Të jem i sinqertë, unë mendoj se duhet të punohet menjëherë për Asociacionin. Duhet të jetë në agjendë për diskutimin e radhës. Ne duhet të mendojmë se si ta përdorim atë për të krijuar besim në mes të Qeverisë dhe komunitetit minoritar. Kjo nuk ka të bëjë me Serbinë. Kjo ka të bëjë me marrëdhënien ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit minoritar, në kuadër të strukturës kushtetuese të Kosovës dhe plotësisht sipas ligjeve të Kosovës.

Unë e shoh këtë si mundësi për t’i përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet grupeve, dhe jo si mundësi e një shteti tjetër që të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një njëfarë mënyre, beson se kjo çështje duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe që nuk duhet diskutuar para marrëveshjes finale.

Gabriel Escobar: Tashmë ekziston si obligim. Ne besojmë se të gjitha obligimet ekzistuese duhet të zbatohen sa më shpejt që është e mundur.

Radio Evropa e Lirë: E ndani shqetësimin e njëjtë me liderët e Kosovës se Asociacioni mund të jetë një kopje e Republikës Sërpska?

Gabriel Escobar: Jo, absolutisht jo. Nuk është mekanizëm që do t’i imponohet Kosovës. Është një çështje, për të cilën Kosova mund të punojë me komunitetin ndërkombëtar, si dhe me komunitetin e prekur, për të gjetur zgjidhje që përbën fitore për dy palët, që mundëson mbrojtjen e të drejtave kolektive, duke e mundësuar ruajtjen e funksionalitetit dhe kushtetutshmërisë së këtij shteti të pavarur dhe sovran.

Radio Evropa e Lirë: Do të doja të flisnim për planin franko-gjerman. Vetë plani nuk përmend njohje reciproke, nuk përmend anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe as nuk e përmend Asociacionin në mënyrë eksplicite. A mund të jetë ky një nivel koncesioni për të dyja palët për arritje eventuale të marrëveshjes?

Gabriel Escobar: Bisedimet për atë propozim, që ne e mbështesim plotësisht, janë në fazë shumë të ndjeshme. Jemi në fazë shumë preliminare të diskutimit. [I dërguari i BE-së për dialogun] Mirosllav Lajçak do të jetë këtu sot [13 dhjetor] për të nisur diskutimet se si të ecet përpara sa i përket këtij propozimi. Por, sërish, ne e mbështesim atë. Mendojmë se përbën fitore për të dyja shtetet dhe krijon mundësi për to që të diskutojnë zgjidhjen e kontesteve, mbrojtjen e komuniteteve pakicë, mbrojtjen e zonave fetare dhe atyre kulturore, dhe shumë gjëra që do t’iu ndihmojnë atyre që të thellohen në integrimet evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar tërësisht këtë plan, mirëpo ka thënë se përbën bazë të mirë për negociatat në të ardhmen. Fokusi i Qeverisë së Kosovës, siç thotë ajo, është që njohja reciproke të jetë në qendër të marrëveshjes, derisa për Serbinë duket se është Asociacioni. Çfarë duhet të ketë në qendër marrëveshja finale?

Gabriel Escobar: Në qendër duhet të jenë integrimet evropiane për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst, një marrëdhënie e mirë, marrëdhënie e qëndrueshme mes të gjitha shteteve të rajonit. Dhe në fund, njohja e plotë e së drejtës së të gjitha shteteve për të ekzistuar, e pavarësisë dhe sovranitetit të tyre. Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar kurrë në këtë aspekt, që njohja duhet të ndodhë.

Megjithatë, sekuenca e hapave dhe mënyra se si arrijmë deri aty është diçka që duhet të diskutohet në kuadër të dialogut. Qëndrimi ynë është se shtetet e këtij rajoni – në mënyrë që gjithë rajoni të ecë përpara – duhet të kenë marrëdhënie të barabarta, të respektueshme dhe paqësore me njëra-tjetrën.

Radio Evropa e Lirë: Edhe njohje reciproke?

Gabriel Escobar: Po, absolutisht.

Radio Evropa e Lirë: Do të doja të ktheheshim sërish në çështjen e veriut. Kosova i ka shtyrë zgjedhjet deri në prill. Çfarë prisni që të ndryshojë deri atëherë?

Gabriel Escobar: Ajo se çfarë pres të ndryshojë, është që fillimisht të nisin me urgjencë diskutimet për normalizim. Shpresoj që të kenë nisur deri atëherë. Së dyti, që deri në prill veçse t’i kemi të nisura diskutimet për Asociacionin. Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë, me shoqërinë civile, me grupet e të rinjve, me komunitetin e biznesit, me të gjithë që do të donin të shihnin Serbinë dhe Kosovën duke dalë nga ky cikël i jostabilitetit. Është duke u dëmtuar biznesi, është duke u dëmtuar e ardhmja e të rinjve, të gjithë duan të shohin që këto dy shtete të ecin përpara.

Radio Evropa e Lirë: Kur prisni të arrihet marrëveshja finale?

Gabriel Escobar: Nuk do të flas me afate kohore dhe nuk mund ta parashikojmë, por urgjentisht.

Radio Evropa e Lirë: Në muajt e fundit, Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në disa raste, që të tërhiqet nga vendimet e tij në mënyrë që të parandalojë përshkallëzimin e situatës në terren. Kryeministri Kurti ka vepruar ashtu, ndonëse ka rezistuar për pak kohë. A e konsideron atë SHBA-ja si partner kredibil që dëshiron të negociojë me mirëbesim?

Gabriel Escobar: Më duhet të jem shumë i qartë në këtë gjë. Marrëdhëniet në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës janë të qëndrueshme. Janë të forta. Këto marrëdhënie janë me njerëzit e Kosovës, jo me një person konkret apo me një palë. Ne jemi të hapur për partneritet me Qeverinë këtu. Kjo nuk nënkupton që nuk do të kemi dallime taktike. Njerëzit duhet ta presin këtë gjë. Mirëpo, kjo nuk nënkupton që SHBA-ja është duke braktisur mbështetjen e fuqishme për Kosovën.

Kritikat ndaj Serbisë “kanë prodhuar rezultate”

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e forcon retorikën e tij nacionaliste për çështjen e Kosovës. Por, ai nuk është përballur me kritikë publike nga BE-ja apo SHBA-ja. Cili është vështrimi juaj për këtë?

Gabriel Escobar: Ai nuk është përballur…?

Radio Evropa e Lirë: A është përballur?

Gabriel Escobar: Absolutisht që është përballur, absolutisht që është përballur. Dhe, ato kritika kanë prodhuar rezultate. Keni parë Serbinë që ka votuar dy herë kundër Rusisë në Kombet e Bashkuara, një herë në Këshillin Evropian për të Drejta të Njeriut dhe ka votuar për ta pezulluar Rusinë nga BERZH-i.

Pra, ata po përballen me kritika dhe, meqë ra fjala, në mënyrën e njëjtë që ne kemi kërkuar nga Qeveria juaj për të përshtatur politikat dhe veprimet e tuaja për të krijuar stabilitet rajonal, të njëjtën gjë ia kemi kërkuar edhe Serbisë. Dhe kemi arritur rezultate. Zgjidhja për letërnjoftimet ka qenë një koncesion i njëanshëm nga Serbia. Dhe, në shumë mënyra të tjera ne kemi marrë koncesion për mënyrën përpara për të krijuar stabilitet rajonal. Prandaj, unë dua të theksoj se në këtë çështje nuk jemi të njëanshëm dhe po kërkojmë një zgjidhje nga e cila fitojnë të dyja shtetet.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, Serbia ende refuzon që të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Gabriel Escobar: Mendoj se ata do të duhej [të vendosin sanksione]. Mendoj se kanë disa obligime që dalin nga procesi i anëtarësimit që të përshtaten me Bashkimin Evropian dhe ky është diskutimi që ata po e zhvillojnë me Evropën. Unë i inkurajoj që ta bëjnë një gjë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: A do ta hapni këtë diskutim me presidentin Vuçiq nëse vizitoni Beogradin?

Gabriel Escobar: Po, ne kemi një diskutim të vazhdueshëm me presidentin Vuçiq për nismat rajonale, stabilitetin botëror dhe për integritetin territorial evropian. Dhe, më duhet të them, nuk kemi qëndrime shumë të ndryshme sa i përket asaj që po ndodh në Ukrainë.

Rusisë “i duhet të krijojë probleme” për të shtyrë agjendën e saj

Radio Evropa e Lirë: Deri në çfarë mase është ndikimi rus në Ballkan, veçanërisht në Serbi, që është arsye për jostabilitet në të paktën tri shtete të Ballkanit?

Gabriel Escobar: Më duhet të them se është një faktor i rëndësishëm. Ka bashkëpunëtorë të qartë të Rusisë që punojnë në sistemet politike të së paku tri shteteve. Ka dezinformatë të madhe ruse në sferën informative në gjithë rajonin. Më duhet të them se Rusia nuk duhet të bëjë zgjidhje, ajo thjesht duhet të krijojë probleme për të çuar përpara agjendën e saj. Prandaj, ne duhet të jemi vigjilentë për këtë dhe ne e luftojmë këtë ndikim malinj kudo dhe kurdo që e shohim.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni përgjigjen e rajonit ndaj kësaj sjelljeje të Rusisë?

Gabriel Escobar: Rajoni, në masë të madhe, është përgjigjur në mënyrë pozitive. Çdo shtet në Ballkanin Perëndimor ka votuar për dënimin e agresionit rus në Ukrainë. Çdonjëri prej tyre. Çdonjëri prej tyre ka ofruar një lloj ndihme për ukrainasit që ikin nga dhuna. Dhe, çdo shtet [i Ballkanit Perëndimor] i njeh, dhe të paktën respekton – në rastin e Rusisë – masat që ka vendosur Evropa.

SHBA-ja nuk ndryshon qëndrim për Ballkanin e Hapur

Radio Evropa e Lirë: Dua të flasim për Malin e Zi. A e mbështesni kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në nënshkrimin e anëtarësimit të Malit të Zi në Ballkanin e Hapur në ditët në vijim?

Gabriel Escobar: Qëndrimi ynë sa i përket Ballkanit të Hapur është shumë i qartë, ne mbështesim të gjitha nismat për integrim ekonomik rajonal, me dy kushte. E para, që ato t’ju sjellin më afër Evropës dhe të mos bien ndesh me obligimet tuaja evropiane, qoftë të Procesit të Berlinit apo çfarëdo nisme të udhëhequr nga BE-ja. Dhe e dyta, që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të lejohen që t’iu bashkohen [nismave] si anëtarë me të drejta të plota. Deri më tani, Ballkani i Hapur kualifikohet në këto dy kategori. Tani, nëse dështon që t’i respektojë ndonjërën nga këto dy kushte, ne absolutisht që do të tërheqim mbështetjen për Ballkanin e Hapur.

Radio Evropa e Lirë: Duket se në Parlamentin e Malit të Zi nuk ka mbështetje për këtë çështje. A mendoni se kjo gjë mund të ndikojë në destabilizimin e mëtejmë të këtij shteti?

Gabriel Escobar: Jo, nuk mendoj, sepse të jem i qartë, nisma e Ballkanit të Hapur po përfiton nga trendët ekzistues të integrimit rajonal. Dhe COVID-i e ka përshpejtuar këtë integrim në rajon, sepse njerëzit nuk mund të udhëtonin përmes transportit ajror, ata udhëtonin me vetura, udhëtonin më shumë me vetura në rajon.

Keni parë serbët duke shkuar në bregdetin shqiptar, keni parë biznesmenët shqiptarë duke bërë më shumë biznes në Beograd, duke shkuar atje për t’u vaksinuar. Keni parë lidhje shumë të rëndësishme të energjisë dhe transportit midis Maqedonisë së Veriut dhe pjesës tjetër të rajonit. Pra, kjo veçse po ndodh. Pyetja është se si të krijohet më së miri momentumi për t’i larguar barrierat për tregti të lirë. Prandaj, qoftë Proces i Berlinit, Ballkan i Hapur, CEFTA, Këshill për Bashkëpunim Rajonal apo treg i përbashkët rajonal, ne i mbështesim të gjitha./REL

Story i mëparshëm

Doganierët e Durrësit marrin ryshfete për kalimin e mallrave/ Analisti: E turpshme, cënohet siguria kombëtare!

Story i radhës

Shefi i zyrës së BE-së i kënaqur që Këshilli i BE-së mbështeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

Të fundit nga