Escobar: Kemi marrë zotime që Serbia nuk do t’i refuzojë zgjedhjet në veri

July 18, 2023
min lexim

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ka marrë zotime që Serbia nuk do t’i kundërshtojë zgjedhjet e ardhshme në veri të Kosovës dhe se Serbia do të përballet me pasoja nëse vepron ndryshe.

Ai i ka bërë këto deklarata para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, teksa ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe qasjen e Shteteve të Bashkuara ndaj këtij rajoni.

Ai ka thënë se në mesin e problemeve kyçe me të cilat përballet Ballkani Perëndimor janë: përparimi i ngadalshëm në demokratizim, korrupsioni, varësia nga burimet ruse të energjisë, politikat etno-nacionaliste, dezinformatat dhe ndikimi i dëmshëm prej jashtë.

Duke folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në shtensionim dhe se janë duke punuar për t’i çuar përpara shtetet e Ballkanit Perëndimor drejt integrimeve evropiane dhe transaltantike.

Escobar ka thënë se shpreson në përparim të rëndësishëm këtë vit mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai është ndalur sidomos të Marrëveshja e Ohrit – e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në mars të këtij viti – duke thënë se ajo ofron mundësi të jashtëzakonshme që dy vendet të krijojnë marrëdhënie paqësore me njëra-tjetrën.

“Marrëveshja i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe integritetin e saj territorial. T’ia njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe ia ndalon Serbisë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kosovës i kërkohet që të zbatojë obligimin që e ka për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne besojmë që të dyja vendet duhet të angazhohen menjëherë në këto aspekte, pa parakushte. Duhet të nisin ta kryejnë pjesën e tyre”, ka thënë Escobar.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta që disa javë, sidomos në muajin qershor.

Situata është përkeqësuar pasi serbët lokalë në komunat në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë, me asistimin e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.

Krytarët i kanë fituar mandatet në zgjedhjet e mbajtura në prill të këtij viti, të cilat i kanë bojkotuar serbët.

Mirëpo, më 11 korrik Bashkimi Evropian ka konfirmuar se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Escobar ka thënë se si Shqipëria, ashtu edhe Maqedonia e Veriut i kanë hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, dhe se të dyja janë partnere solide në inkurajimin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Për t’i çuar përpara aspiratat për anëtarësim në BE, Qeveria e Maqedonisë së Veriut është e përkushtuar për ndryshimet kushtetuese për ta njohur pakicën bullgare. Ne e mbështesim fuqishëm këtë hap të vështirë, por të nevojshëm, dhe jemi të angazhuar me Qeverinë e re të Bullgarisë, për t’u siguruar se ajo nuk do të ketë kërkesa të reja, sapo Maqedonia e Veriut t’i përmbushë kërkesat e marrëveshjes ekzistuese”.

Ai ka thënë se integrimet evropiane dhe transatlantike janë thelbësore për ta zvogëluar ndikimin e aktorëve të dëmshëm në këtë rajon, siç janë Rusia dhe Kina, por edhe të aktorëve lokalë të korruptuar, që synojnë ta destabilizojnë rajonin dhe t’i pengojnë integrimet, duke e zgjeruar ndikimin e tyre.

Escobar ka thënë gjatë dëshmisë së tij se Rusia e shtrin ndikimin e tij në rajon përmes dy rrugëve: dezinformatave dhe energjisë.

“Asgjë më shumë. Rusia nuk ofron tregti bilaterale, as nuk ofron ndihmë, as kapacitet për ndërtim, as mbështetje për reforma demokratike. Thjesht, e fut rajonin në kurth përmes varësisë energjetike. Prandaj, sa më shpejt që mund t’i ndihmojmë rajonit në zvogëlim të varësisë, qoftë përmes gazit të lëngshëm natyror, apo përmes energjisë së ripërtrishme, aq më shpejt do të mund ta luftojmë ndikimin rus në rajon.

Ai e ka përmendur edhe ndikimin që synon ta shtrijë Kina përmes investimeve.

“Ne ofrojmë alternativa për të ndërtuar qëndrueshmëri kundër këtyre ndikimeve”, ka thënë mes tjerash Escobar.

“Qytetarët e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre – të ardhme në të cilën qeveritë mbahen përgjegjëse, mbështetja për të drejta të njeriut është e madhe, dhe ku të gjithë përfitojnë nga siguria ekonomike.

Për Bosnje – Hercegovinën

Escobar ka thënë se presidenti i entitetit të Republikës Sërpska në Bosnje – Hercegovinë, Millorad Dodik, vazhdon të jetë i fokusuar në shpërbërjen e Marrëveshjes së Dejtonit dhe kushtetutës së shtetit.

“Veprimet e vazhdueshme anti-demokratike të Dodikut kërcënojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e shtetit dhe gjithë rajonit”, ka thënë ai.

Escobar ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë t’i vëzhgojë këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie nga të gjithë ata që e dëmtojnë Marrëveshjen e Dejtonit apo që e kërcënojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës.

Dodik është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Escobar i ka bërë këto deklarata në kohën kur Bosnja po përballet me një sërë krizash politike.

Së fundi, Qeveria e Republikës Sërpska ka miratuar ligje për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe që të mos i publikojë vendimet e Përfaqësuesit të Lartë të bashkësisë ndërkombëtare./Rel/

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Shkëlzen Gashi lavdëron Abdixhikun: S’u shërbeu kriminelëve të 20 viteve, s’u bë pjesë e Qeverisë Hoti

Story i radhës

Policia e heton një shtëpi lidhur me vrasjen e vitit reperit Tupac

Të fundit nga

ShkoLartë